Elhaida Dani ka preferuar të qëndrojë larg intervistave duke mos treguar shumë rreth vetes. Megjithatë e ftuar në “A night live show” ajo ka zbuluar shumë të pathëna.

Mes të tjerash ka zbuluar edhe momentin që është refuzuar për herë të parë në audicione dhe e përjetoi shumë keq, por sërish kjo histori nuk e dorëzoi.

“Në momentin që vendos të marr pjesë në audicionet e ‘Ethet e së premtes mbrëma’, e kaloj fazën e parë. Aty ndizet më në fund brenda meje zjarri. Familja fillon të më marrë seriozisht, qenka diçka e mirëfilltë, fillojnë ta pranojnë dhe të tjerët. Pastaj erdha në Tiranë për fazën e dytë të audicioneve dhe këndoj një këngë të Whitney Houston ‘I have nothing’. Nuk dija asgjë, gjithçka ishte emocionale, e pastudiuar. Mbaj mend që dridhesha në skenë. Nuk kalova dhe mbaj mend ishim në makinë me mamin dhe me babin kur e mora vesh dhe kam qarë nga Tirana deri në Shkodër. I thashë unë më kurrë nuk dal në skenë, më kurrë nuk do këndoj. E kisha ndarë mendjen që nuk do këndoja, por pas shumë pak ditesh ndodhi që në qytet, në Shkodër erdhi stafi i ‘Star Academy’. Ishte babi që insistoi dhe pjesa tjetër histori. Mora sigurinë që, okej mund të jem këngëtare sepse audicioni shkoi shumë mirë, i dyti akoma më mirë. Pashë veten në televizion javë pas jave, derisa u shpalla fituese.” -tregoi ajo.

Elhaida rrëfeu momentin që vendosi ‘të zbulojë veten’ dhe ku gjithçka ndryshoi për të. Pikërisht pjesëmarrja në ‘Festivalin e Këngës’.

“Në moshën 22 vjeçe pas fitores së ‘The Voice’, vendosa të rikthehem në atdhe dhe të bëj një gjë që kam pasur ëndërr gjithmonë, të marr pjesë në festivalin e RTSH-së. Dola fituese dhe në atë moment deri kur mbaron kjo eksperiencë, në ato pak muaj jeta ime ka ndryshuar totalisht, një përgjegjësi kaq të madhe mbi shpatulla nuk e kisha ndjerë ndonjëherë, sepse deri në ato momente përfaqësoja veten time në kompeticione dhe e gjeta veten duke përfaqësuar një shtet të tërë. Ishte e vështirë sepse nuk pati vetëm komente pozitive, pati dhe komente negative. Diçka ndryshoi te unë dhe ishte Eurovision-i që më bëri të thoja që mjaft duke konkurruar veten, duke provuar që ja vlen, thash mjaft, ja vlen, kujt do t’ja tregosh më që je e zonja? Aty vendosa të shkëputesha nga muzika moderne, mora një vit për veten time, një vit që më ndryshoi jetën dhe mora një drejtim tjetër në karrierë. Në këto momente më vjen telefonata nga Richardo, më propozoi të luaja rolin e Esmeraldës në veprën ‘Notre Dame de Paris’. Duhet të mësoja ‘Notre Dame’, të mësoja frengjisht. Ky ndryshim ishte ai që më duhej.

Fillova punën, fillova palestrën deri atë ditë nuk kisha bërë një ditë stërvitje në jetën time. Fillova kurse baleti, isha një dramë e vërtetë. E mora shumë seriozisht ndryshimin e fizikut tim. Fillova të lexoja më shumë, të zbuloj veten time. Në momentin që muajt kaluan, erdhi momenti i audicionit, shkoj në Paris, Richardo nuk më njohu, nuk isha më Elhaida bullafiqe. Bëra audicionet dhe më lajmëruan që do filloja turneun pas disa javësh dhe u transferova në Paris.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: