Futbolli është një lojë që zhvillohet për të argëtuar sportdashësit, por shpesh herë këta kufij tejkalohen. Ky është edhe rasti i Leonardo Bonucci-t, futbollistit të Juventusit, i cili ka marrë një mallkim tepër të rëndë që nuk mund të justifikohet as edhe për një lloj arsyeje.

Në adresën e qendërmbrojtësit në ‘instagram’, një person i cili e urren i ka shkruar: “Vdekshin të dy fëmijët e tu”.

Kjo nuk është hera e parë që Bonucci bëhet shënjestër e të tilla ngjarjeve, por kjo e fundit merr një kuptim tjetër duke patur parasysh se para pak kohësh djali i tij i vogël, Matteo, iu nënshtruar një procedure delikate kirurgjikale për shkak të fillimit të një patologjie akute.

Bonucci e ka bërë vetë publike këtë rast me një postim në “insta story”. Përveç mesazhit që i ka mbërritur ai ka reaguar duke shkruar:

“Ndoshta një ditë do të jetojmë në një botë më të mirë, por për tani shpresoj që të mbaj larg fëmijët e mi nga bota ku po jetojmë. Bota e njerëzve të tillë. Bota e dhunës së gjesteve, fjalëve dhe mendimeve. Tani fshi llogarinë, ndrysho profilin, telefono dikë që të të ngushëllojë, por askush nuk mund të ndryshojë. Do të mbetesh i neveritshëm,”-ishin fjalët e Bonucci-t.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb