Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Vrasja e ministrit të Brendshëm Koçi Xoxe

Arrestimi, hetimi, gjykimi dhe dënimi me vdekje i anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Punëve të Brendshme Koçi Xoxe është dëshmi e eliminimit të kundërshtarëve politikë me procese hetimore e gjyqësore të falsifikuara. Koçi Xoxe, bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Enver Hoxhës, dallohej për mbështetjen e gjithanshme ndaj politikës jugosllave, bashkimit ekonomik, financiar e doganor, të cilat do të realizonin edhe aneksimin e Shqipërisë nga Jugosllavia.

Ai iu bashkua edhe presionit të Titos ndaj Enverit për ta larguar nga pushteti dhe për t‘i hapur rrugën Koçit. Qëndrimi kritik i Koçit ndaj Enverit u thellua në Plenumin e Zi, në vitin 1948, ku u arrit edhe një kufizim i tij. Prishja e marrëdhënieve të Titos me Stalinin dhe rritja e interesimit të tij për Shqipërinë i krijuan mundësinë Enverit të lidhet direkt e të forcojë marrëdhëniet me Stalinin, të shkëputet nga vartësia e Titos dhe të forcojë pushtetin autoritar.

Enveri me pozita më të përforcuara, u distancua nga politika e mbështetjes së Jugosllavisë dhe dënoi politikën jugosllave. i lehtësuar nga presioni i Titos dhe me pozita më të forta pas mbështetjes nga Stalini, ai arrestoi e dënoi përkrahësit e hapur të jugosllavëve dhe thelloi më tej eliminimin e kundërshtarëve të tij politikë. Viktima e radhës ishte Koçi Xoxe. Gjykimi dhe dënimi me vdekje i Koçit dokumenton edhe veprimtarinë e fshehtë të Enverit për eliminimin e kundërshtarëve të tij.

Me rëndësi është dëshmia me akuzën e drejtpërdrejtë dhe të argumentuar nga ministri i Punëve të Brendshme Koçi Xoxe para trupit gjykues: Dhe për sa u përket dëshmitarëve, kam kërkuar të thirret Sekretari i Përgjithshëm (Enver Hoxha) për t’u pyetur në lidhje me dy raste… Për ato që tha Prokurori, për vrasjet pa gjyq, kanë qenë 6 raste. Dhe për këto kam pas qenë këshilluar dhe është bërë me urdhër të shokut Komandant (Enver Hoxhës). Dhe për këtë ka pasur edhe vendim të Byrosë. Kurse vetëm për një rast është bërë duke u këshilluar vetëm me Komandantin (Enver Hoxhën). Për tortura unë nuk kam dhënë urdhër, vetëm për dy raste për Myzafer Pipën dhe një tjetër. Por nuk kam thënë që Myzafer Pipa të torturohej me hekur të skuqur. Me Gjyq Special ka qenë ekzekutuar vetëm Galip Hatipi dhe për këtë mora urdhër nga Komandanti (Enver Hoxha).

Koçi Xoxe është i vetmi ministër i Brendshëm dhe anëtar i Byrosë politike që ka përmendur me emër dhe akuzuar konkretisht Enver Hoxhën për vrasjet e fshehta shtetërore, ndjekjen agjenturore të funksionarëve të lartë politikë e shtetërorë, dënimet me vdekje në gjyqet speciale dhe pa gjyqe. Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu, Hekuran Isai, Simon Stefani etj., kanë ruajtur fshehtësinë e urdhrave të dhënë nga Enver Hoxha dhe nuk e kanë përmendur asnjëherë me emër.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb