63-vjeçari Batjar Çelaj, babai i teknikut të kondicionerëve që mbeti i vrarë në kryeqytet në gusht të 2019, i ka dhënë fund jetës duke konsumuar fostoksinë.

I ngarkuar emocionalisht dhe psikologjikisht dhe i pafuqishëm për të vendosur drejtësinë e munguar për djalin e tij, Indritin, Batjari vendosi t’i jepte fund jetës. Kërkoi me forcë që autorët e vrasjes së djalit të tij të merrnin dënimin e merituar, por askush nuk i dëgjoi fjalët e dhimbjes së tij, të shprehura për tre vite me radhë, e që të gjithë i dinin.

Kunata e Batjar Çelaj deklaroi sot për gazetarin Ervis Kuçi se ai e kish vuajtur gjate gjithë kësaj kohe që autoret nuk kanë marrë dënimin maksimal dhe nuk e ka përballuar dot.

“Nuk e përballonte dot atë të djalit. Thoshte gjithmonë më është dobësuar zemra, kot që rroj në këmbë. Nuk e duronte dot, ishte jashtë mase i tronditur. Ai ishte tepër, tepër i mërzitur nga jeta, nuk e përballonte dot. Thoshte kot që rroj, nuk e përballoj dot, përse më la mua këtu thoshte”, rrëfeu e afërmja e viktimës.

Indrit Çelaj, tekniku i kondicionierëve u vra nga vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi, në gusht të vitit 2019 në Tiranë pas një konflikti për tubin e kondicionierit. Pas një konflikti të çastit, Griseldo Kusi e qëlloi Indrit Çelaj me plumb në kokë, duke i marrë jetën. Pas krimit gjykata e Tiranës, dënii me 12 vite burg Griseldo Kusin dhe me 2 vite burg vëllain e tij, Albano Kusi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb