TIRANE- “Pavllo, mos u mërzit. Pas Marvit, do ikim edhe ne. Nuk e duam më jetën. Do biem rehat. M’i gjeni, m’i gjeni një kostum djalit, se do e bëj dhëndër. Është 1.86 i gjatë. I blemë dhe makinë kur përfundoi studimet dhe nuk e gëzoi. Marvi, Marvi, bir…”. Fjalët e Mira Mihalit rrëqethën të madh e të vogël. Të afërm, miq dhe të njohur shpërthyen në lot. Askush nuk do ta besojë vdekjen tragjike të 22-vjeçarit, i cili u masakrua me thika mbrëmjen e së hënës pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë.

Dje, në banesën njëkatëshe të rekordmenit shqiptar Pavllo Mihali, që ndodhet në rrugën “Riza Cerova”, hynin e dilnin pareshtur njerëz që e ngushëllonin për humbjen e djalit të vetëm. Aty ndalëm hapin edhe ne. Por, nuk mundëm të nxirrnim një fjalë. Ishte e pamundur; të gjithë ishin të tronditur nga vrasja makabre e studentit të Drejtësisë. Pastaj, fliste krejt përçart nëna e 22-vjeçarit, mësuese e Anglishtes në Liceun Artistik. Mira Mihali, tregoi bisedën e fundit me të birin, vetëm 30 minuta para se disa gangsterë t’ia merrnin jetën djalit të saj për një karikues telefoni. Ajo tha se ishin me pushime në Sarandë, kur e telefonuan se Marvi ishte aksidentuar…

Dje, rreth orës 11:00, qindra vetë përcollën për në banesën e fundit Marvi Mihalin. Teksa po i jepnin lamtumirën të riut, fqinjët e familjes Mihali pohuan se Marvi ishte djalë i urtë dhe shumë i sjellshëm. “Ai ishte shumë i dashur dhe kur flisnim me të, thoshte gjithnjë: Ju lutem, faleminderit. Nuk duam ta besojmë atë që ndodhi”, thanë fqinjët e 22-vjeçarit.

NËNA E MARVI MIHALIT

“Unë dhe bashkëshorti ishim me pushime në Sarandë. Rreth orës 22:00 të së hënës e mora Marvin në telefon. E pyeta: ‘Marvi, ku je?’. Ai më tha se ‘jam në lokal duke pirë kafe’. I thashë: ‘Është vonë, të keqen mami, kthehu në shtëpi’. Ndërsa, djali më tha: ‘Të lutem, mami, mos më trajto si fëmijë’. ‘Mirë, të keqen mami. Më fal’. Kjo ishte biseda e fundit me tim bir”, – tha Mira Mihali. Vetëm pak minuta më pas, një telefonatë u ka ngrirë gjakun bashkëshortëve Mihali. “Marvi është aksidentuar”! Menjëherë prindërit e 22-vjeçarit janë nisur në Tiranë, por rrugës, në Tepelenë ata kanë mësuar lajmin e kobshëm për vrasjen e të birit.

Shkrimin e plotë e lexoni në Gsh.al:

http://www.gsh.al/2017/08/03/vrasja-e-22-vjecarit-nena-mi-blini-nje-kostum-djalit-se-do-e-bej-dhender-ja-cme-tha-im-bir-30-minuta-para-se-ta-vrisnin/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: