LEZHË

Zbardhen detaje të reja nga vrasja që tronditi këtë të hënë Lezhën, ku adoleshenti Florian Përvathi vrau në oborrin e banesës së tij 65-vjeçarin Lekë Lekgjonaj. Gazetari Elidon Ndreka raporton për “BalkanWeb” se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, pasi 17-vjeçarit i kanë vrarë babanë në sy në vitin 2009.

Gjithçka në atë kohë ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes dy familjeve, ku vëllai i 65-vjeçarit Lekgjonaj ka vrarë me armë babanë e adoleshentit, që në atë kohë ishte vetëm 5 vjeç, Gjon Përvathi.

Siç raporton gazetari Ndreka për “BalkanWeb”, tragjedia në familjen Përvathi është rënduar, pasi menjëherë pas ngjarjes së rëndë ka vrarë veten, duke pirë helm, edhe nëna e Florian Përvathit. Mësohet se ky i fundit ka qenë i pranishëm në konfliktin mes dy familjeve dhe në momentin kur babai i tij është qëlluar për vdekje.

Ndërkohë, Florian Përvathi, tashmë 17 vjeç, ka marrë hak për vdekjen e të atit, duke vrarë vëllanë e vrasësit të babait të tij. Mëngjesin e sotëm, ai ka shkuar te shtëpia e 65-vjeçarit Lekgjonaj, ka hyrë në pjesën e portës së shtëpisë dhe i është vënë nga mbrapa viktimës, duke e qëlluar dhe duke i shkaktuar plagë. Pas disa sekondash, ai i është afruar dhe e ka qëlluar sërish, duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë pas ngjarjes, i riu është vetëdorëzuar.

Sa i përket autorit të vrasjes së babait të të riut, dyshohet se ndodhet në një vend në Australi. Ai ka kryer disa vite burg dhe më pas është larguar nga Shqipëria.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb