Ishte gushti i vitit 2019, kur 26-vjeçari Indrit Çelaj kishte dalë për të punuar në kryeqytet si në çdo ditë tjetër të tij. Fati e deshi që të ishte në vendin dhe në kohën e gabuar. U gjend në vilën e familjes Kusi për të montuar një kondicioner që rrjedhjen e një tubi e pagoi me jetën e tij.

Më i madhi nga djemtë e familjes, Griseldo Kusi, e qëlloi me një plumb në kokë. Për ngjarjen u arrestua dhe djali tjetër i familjes, Albani, babai i tyre, Bujari, dhe 3 punëtorë.

Vrasja e tij duke qenë krejt i pafajshëm tronditi opinionin publik dhe shumë më tepër familjen e 26-vjeçarit që kishte thurur ëndrra për ta veshur djalin dhëndër. Pas rreth 18 muajsh hetim dhe gjykim, organi i Akuzës kërkoi për autorin kryesor të kësaj vrasje 21 vite burg, duke i pranuar edhe gjykimin e shkurtuar.

Kjo ishte një vrasje e dytë për babain e Indrit Çelajt. Nga studio e emisionit “Me zemër të hapur, në News24, Batjar Çelaj tregoi se si i ka kaluar këto muaj pa të birin, ku shpresë të vetme kishte vendosjen e drejtësisë. Çfarë provash ka prokuroria që lehtësoi pozitat e të akuzuarit? Ndiqni rrëfimin:

Batjari: Lajmin e pretences për vrasjen e djalit e mora vesh nga televizori. Gruas i ra të fikët. Nuk kemi më besim nga drejtësia. Kemi kërkuar edhe sendet personale të djalit. Nuk na i kanë dhënë. Po flasim me avokatin.
Evis Ahmeti: Sa vlen jeta e një njeriu në Shqipëri?
Batjari: Këtu nuk kam asnjë lloj shprese, s’ke ku të kërkosh një të drejtë. Më vjen neveri kur shoh politikanë që flasin. Më morën djalin në atë moshë e pa asnjë faj. Sindikatat duhet të kishin reaguar. Shteti duhet të reagonte. Jam i vetëm në këtë betejë. Kisha shpresë vetëm te ky gjyq. Politika thotë rinia të kthehet në Shqipëri. Ku të kthehet? Kam hetimin paraprak. Mirë që e vranë djalin, por e mbajtën edhe 4 orë aty. Si akuzohen të tjerët për moskallëzim krimi.

Evis Ahmeti: A e ke takuar prokurorin?
Batjari: Jo. Kam kërkuar ta takoj, por s’ka pranuar. Edhe policisë i kam kërkuar të më japë patentën e djalit dhe telefonat. Kam qenë në gjyq, kemi kundërshtuar gjykimin e shkurtuar.

Evis Ahmeti: Si e përjetove kur dëgjove pretencën?
Batjari: Nuk e dua më jetën. Ç’është ky shtet? Kujt ti drejtohem. Një herë në 24 orë ushqehemi sa për të mbajtur frymën gjallë, se nuk na bën zemra. E kisha djalin të shkëlqyer. Punonte dhe nuk i binte njeriu në qafë. Nuk thoshte një herë një fjalë të pisët. E bëra 2 metra dhe ma vranë kot. As në kanun nuk lejohet ta vrasin brenda shtëpisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb