Nga Senad Nikshiqi

Një shpërthim me tritol ka tronditur banorë të lagjes “Tre Heronjtë” në qytetin e Shkodrës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku bënë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm dhe se eksplozivi ka shpërthyer në oborrin e përbashkët të të tre vëllezërve: Fran, Mark e Zef Paja. Mësohet se si pasojë e shpërthimit të fuqishëm nuk ka pasur persona të lënduar, por janë dëmtuar vetëm makinat që kanë qenë të parkuara në oborrin e banesave të vëllezërve Paja, ku një prej tyre është mjeti tip “Citroen” me targë AA 505 BA.

Pas sinjalizimit për sulmin me tritol, policia ka shkuar shpejt në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave si dhe identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një fitil zjarr përcjellës me gjatësi 8 cm. Sipas hetuesve të çështjes, në oborrin e vëllezërve Paja u vendos një sasi prej rreth 200 gram tritol i llojit C4.

Vendi ku u vendos ekplozivi
Ndërkaq, ekspertët sqaruan se për fatin e mirë të familjes Paja, tritoli nuk ka qenë i puthitur mirë, pasi në rast të kundërt mund të ishin shembur dhe banesat e tyre. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka marrë në pyetje vëllezërit Paja, ku njëri prej tyre, Frani është shef i financës në Drejtorinë e Patentave në Shkodër. Ata kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me askënd.

Fran Paja është shprehur se nuk e di arsyen e vendosjes së tritolit në oborrin e banesës së tij, pasi nuk ka probleme me persona të tjerë. Gjithashtu, ai ka pohuar se nuk ka dyshime se vendosja e tritolit lidhet me punën që bën çdo ditë te patentat si shef i financës. Pavarësisht deklaratave, blutë e qytetit verior po hetojnë në dy pista. Për konflikte të mundshme personale që mund të kenë pasur vëllezërit Paja me persona të tjerë, por edhe me detyrën e Fran Pajës.

Ndërkaq, kunata e këtij të fundit, File Paja u shpreh dje në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se ngjarja nuk ka lidhje me pozicionin e punës së Franit, pasi ai nuk ka pasur konflikte me ndonjë person. Ajo tregoi me detaje momentet e tmerrshme të shpërthimit me tritol.

Kur ndodhi shpërthimi me eksploziv?
Ne ishim të gjithë në gjumë, kur rreth orës 01:40, nuk e mbaj mend fiks, dëgjuam një shpërthim shumë të fortë. Dëgjuam një përplasje të fortë në xhamat e ndërtesës ku jetojmë. Unë menjëherë u çova me shpejtësi, sepse kam një bombol gazi në banesë dhe fillimisht mendova se mos vallë shpërtheu bombola e gazit. Kur pashë se s’kishte lidhje me bombolën e gazit, i thirra djalit: Ku je, ku je?! Ai u ngrit menjëherë dhe ka dalë me shumë shpejtësi jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Më pas dola dhe unë.

Intervistën e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2018/01/07/i-vune-tritol-ne-oborr-shefit-te-patentave-kunata-tregon-tmerrin-patem-frike-kujtuam-se/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb