TIRANË

Protesta e ditës së shtunë nuk kaloi pa shoqërime e arrestime të qytetarëve, të cilët janë konstatuar duke kryer veprime të kundraligjshme gjatë kohës që qëndruan para godinës së kryeministrisë.

Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Florenc Hoxha, ish-drejtuesi i Policisë Bashkiake. Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar sot, Hoxha deklaroi në sallën e gjyqit se do të vazhdojë rezistencën e tij deri sa kjo qeveri të largohet.

Mes tjerash, ish-kreu i Policisë Bashkiake hodhi akuza të forta ndaj FNSH-së për dhunën e ushtruar gjatë shoqërimit në prani të familjarëve dhe dy fëmijëve. Gjithashtu Hoxha shkon më tej duke treguar se Policia e Shtetit ka kryer një veprim ekstrem pasi i ka vendosur armën në kokë vajzës së tij 12-vjeçare duke e terrorizuar të miturën.

Pjesë nga deklarata e tij në sallën e gjyqit:

“Dua të theksoj se kam marrë pjesë në të gjitha protestat e opozitës dhe këtë e kam bërë për fëmijët e mi dhe jo të më arrestojnë, por edhe masa më të rënda të aplikojnë ndaj personit tim, unë do të vazhdoj të protestoj deri sa kjo qeveri e krimit, kjo qeveria e bandave të largohet nga pushteti.

Dua të theksoj dhe një aspekt tjetër: momentin që jam shoqëruar, kam parë që banesa ime po rrethohej nga disa persona me kapuçë, mund t’u them kapuçonë të zinj se punonjës policie apo forca speciale nuk mund t’i quaj, të cilët kanë dhunuar banesën time. Kanë terrorizuar një kushëri timin që po qëndronte brenda banesës, duke kërcënuar me armë. Në atë moment kam komunikuar me shefin e Komisariatit 4, duke kërkuar të di se çfarë po ndodh me banesën time dhe zotëria në fjalë më ka thënë: janë urdhra të drejtorit dhe unë nuk kam çfarë të bëj, nuk janë kompetenca të miat. Në këtë moment i kam kërkuar vetëm disa minuta kohë sa të vishem. Në katin e parë qëndronte e gjithë familja ime, gruaja ime djali im 8 vjeç, vajza ime 12 vjeçe dhe halla ime, të gjitha femra.

Në momentin që po vishesha kam dëgjuar një zhurmë të fortë dhe mbi 20 persona, e kam të pasqyryar me kamera, në momentin që do të kem mundësi t’i kem ato kamera, t’Ia vë në dispozicion mediave, kam parë disa punonjës policie që i kanë drejtuar vazjës time armën në kokë duke I kërkuar se ku është babai?! Në ato momente kam ndjerë, jo lotë, por një dhimbje shpirtërore se çfarë po ndodh me këtë shtet.

Ku ka degjeneruar kjo bandë kriminale e drejtuar nga Edi Rama? Dhe djalit tim 8 vjeçar, i cili mundohej të largonte armën e këtij banditit me maskë, duke I thënë mos ma dhuno motrën. Në këtë moment, mbi dhjetë punonjës policie nëpër shtëpi, në sy të familjes time, në sy të fëmijëve të mi dhe më kanë tërhequr zvarrë. Më kanë tërhequr zvarrë vetëm me arsyen se kam marrë pjesë në protestë.

Pasi jam futur në furgon, po ta sqaroj dhe po e theksoj, njëri prej këtyre banditëve, më ka goditur në vazhdimësi gjatë rrugës dhe më ka nxjerrë pistoletën dhe ma ka vënë në gojë. Ma ka vënë për së dyti, sepse e kam ndjerë fishekun që ka dalë nga arma dhe më ka thënë: Këlysh I Bashës, guxo të dalësh edhe njëherë në protestë. Këto I keni të monitoruar dhe me kamera, jua vë në dispozicion. Nuk duket për të qeshur, është për të qarë në fakt.

Gjyqtarja: Për cilat kamera e keni fjalën?

Florenc Hoxha: Për kamerat e sigurisë së banesës sime. Përpos kësaj, në aspektin policor, gjatë protestës, thuhet në fjalën e prokurores se unë paskam dhunuar një vepër arti. Me thënë të drejtën vetëm vepër arti nuk më duket në në syrin tim se nuk jam piktor si Rama, vepër arti nuk më është dukur. Kam thënë se ajo jo që nuk është vepër arti, por është dhuratë e Eskobarit të Ballkanit, gjethe e hashashit dhuruar Edi Ramës si formë e bashkëpunimit të tij dhe falenderimi për bashkëpunimin e vitit 2016-2017-të. Me të dëgjuar e kam, nuk e kam të provuar, se do të paraqisja provat.

Gjithashtu, dua të theksoj edhe diçka tjetër, jo vetëm si person në hetim, por edhe si ish punonjës policie: në momentin e protestës jam etiketuar si person që kam dhunuar punonjësit e policisë. Dua t’i ritheksoj prokurores: ka një emër konkret punonjësi policie që më ka akuzuar mua që e kam dhunuar?! Apo janë thjesht thënie apriori, thënë prej këtyre militantëve të partisë në pushtet që janë nëpër komisariatet e policisë?

Unë e quaj për nder që të jap kontributin tim, që të rrëzohet kjo qeveri. Dhe nuk i trembem as vdekjes, jo burgut. E quaj për nder, sepse kam kundërshtuar banditi zimin dhe bandat e Shqipërisë, për jetën e fëmijeve të mi, por njëkohësisht edhe për jetën e fëmijëve tuaj zoti prokuror. Për të ardhmen e tyre. Nuk kam mundësi t’i largoj jashtë shtetit, siç bën një pjesë e ministrave të qeverisë, apo siç mund të bëni juve. Unë e kam ndërtuar jetën time në Republikën e Shqipërisë, në këtë vend që e dashuroj, ku jam rritur dhe dua të vdes po në këtë vend. Fëmijët e mi dua t’i rris pa drogë dhe pa shtet kriminel.

Unë i urrej fjalimet, por pas atyre skenave makabre që kanë parë fëmijët e mi, si mund ta them tani, se s’dua të intimidoj trupin gjykues, por çdonjëri nga juve, po të shikojë ato skena, sesi fëmija i mitur kërcënohet dhe kanoset me armë, si mund të veprojë një qytetar, i cili paguan taksat dhe është i rregullt. Nëse do të isha unë bandë e armatosur, ju siguroj i nderuar prokuror, se Edi Rama nuk do të ekzistonte më. Me aftësitë e mia policore, nëse do e kisha rrethuar me paramendim, ju siguroj se kryeministria sot nuk do të ekzistonte.

(N.M/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb