Xhiro e Italisë 2025 vazhdon të dhurojë spektakël, teksa edicioni i 108- të i garës së famshme të çiklizmit ka zhvilluar dje etapën e nëntë nga 21 të planifikuarat, deri në mbyllje në Romë më 1 qershor.
Etapa e nëntë nisi mesditën e djeshme në Gubbio dhe përfundoi në Siena (181 km) me një finish prej disa kilometrash në rrugët e paasfaltuara. Triumfi në këtë etapë shkoi për belgun Wout Van Aert të ekipit VismaLease a Bike. 30-vjeçari ishte i pari që e kaloi vijën e finishit në “Piazza del Campo”, duke fituar pas një dueli spektakolar në sprintin final kundër Isaac Del Toro të ekipit UEA Emirates. Megjithëse nuk ia doli në sprint, Del Toro bëri një paraqitje super, duke marrë fanellën rozë të liderit, me diferenca shumë të rëndësishme kohore, për tu bërë meksikani i parë në histori si lider i Xhiros.
Etapa e nëntë mund t’i kushtojë shumë favoritit kryesor Primoz Roglic, pasi slloveni i skuadrës Bora ka humbur terren në klasifikimin e përgjithshëm në një garë që e pa të rrëzohej dhe t’i shpohej edhe goma e pasme e biçikletës së tij. Ndjekja e sllovenit për fanellën rozë rrezikon të ndalet këtu, pasi 35-vjeçari ka rënë në dy minuta e 25 sekonda larg kryesuesit, Del Toro. Ndjekësi më i afërt për meksikanin De Toro është shoku i tij i skuadrës, Juan Ayuso, me 1 minutë e 13 sekonda diferencë.