Deputetja e PD, Ina Zhupa, ka folur sërish në foltore për projektligjin për t’ia dhënë privatit Parkun Kombëtar të Butrintit.

Zhupa tha se për këtë marrëveshje nuk është marrë mendimi i asnjë eksperti shqiptar, ndërsa akuzoi se qëllimi i vetëm është të pasurohet privati dhe të zhduket historia e Shqipërisë.

“Ju vini dhe na thoni që shteti do të jetë aty sepse do të jetë Elva Margariti pjesë. Zonja Margariti prezantohet si pjesë e bordit, ndoshta për ta futur veten në bord edhe kur të mos jetë ministre. Atje ka 5 persona, ndërsa Margariti është vetëm 1 dhe s’ka asnjë pikë ku thuhet të ketë të drejtë vetoje dhe të jetë mbi 4 vota të privatit. Pra Butrinti i kalon privatit, 4 personave të tjerë që janë privat. Dikush i njohur, dikush më pak i njohur. Kjo është e zeza mbi të bardhë, është vendimi i gjykatës, është fakt. Ju arritët deri aty sa bëtë planin e menaxhimit të integruar të Butrintit pa përfshirë asnjë ekspert shqiptarë. Pse mendoni që s’kishte vlera për t’u pyetur Auron Tare? Neritan Ceka? Kreshnik Merxhani? Pse duhet të vijë një kompani e huaj e të mos vijë asnjë shqiptar. E kuptoni që ne rrezikojmë edhe historinë shqiptare, identitetin shqiptar. Jemi të votuar nga ata për të mbrojtur interesin publik, për të mbrojtur atë që po tentojmë të vjedhim me ligje dhe vendim qeverie. Qeveria juaj ka vendosur që Butrinti të trajtohet si mall kombëtar.

Vetëm në Sarandë ka mijëra monumente të kategorisë së parë. Meqenëse dëshira e fondacionit është jo fitimprurës le të merren këto monumente dhe të rinovohen. Juve ju intereson Butrinti, të ardhurat, jo vetëm ato nga biletat. Të ardhurat nga biletat do të jenë të vetmet të ardhura që do të quhen të ardhura të Butrintit. Të ardhurat e tjera nga baret, restorantet, këto s’kanë lidhje me Butrintin, por do i marrë koncesioni. Ju e trajtoni si biznes. Këtë plan biznesi ia keni fshehur shqiptarëve, milionat e eurove që parashikohen të merren nga xhepat e tyre. Ju e trajtoni si biznes, ndërsa ne si trashëgimi kulturore. UNESCO ka ardhur në mision monitorimi në Shqipëri. Ju keni hapur rrugën që pasi keni marrë Butrintin jepni mundësi të marrë trashëgiminë tonë kulturore dhe kombëtare. Aq shumë e doni Butrintin sa në janar keni hequr nga zonat e mbrojtura disa vende, për ta kthyer atë në një kompleks. A e mendoni ju që kjo është në interes të qytetarëve? Të trashëgimisë kulturore? Kjo bëhet në interes të privatit që pasurohet nga Butrinti. Në interes të atyre që e plakçisin Shqipërinë. Mos u çudisni kur një ditë të bukur në këtë Kuvend të vij një projektligj: Jepet Shqipëria me koncesion”, tha Zhupa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: