Kreu i PD, Sali Berisha gjatë fjalës së tij sot në një tryezë me aktivistët e shoqërisë civile, tha mes të tjerash se bllokimi i negociatave për Shqipërinë nuk vjen si arsye e vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, por për shkak të Edi Ramës.

Berisha tha se Rama në Bruksel dhe “flet pesë herë më shumë për Serbinë se për Shqipërinë, kurse Kosovën e ka të ndaluar të thotë një fjalë të mirë”, teksa shtoi se ai sulmon një vend mik të Shqipërisë, Bullgarinë.

“Jo se ka penguar Shqipërinë, e vërteta është se e ka bllokuar Rama, i tha bukur padroni i tij, janë disa vende që nuk pranojnë të hapen negociatat”, tha Berisha ndër të tjera.

“Një qeveri që shkon në Bruksel dhe flet pesë herë më shumë për Serbinë se për Shqipërinë, kurse Kosovën e ka të ndaluar të thotë një fjalë të mirë për të, një kryeministër që sulmon në mënyrë të shplarë një vend mik nga i cili në 32 vitet e fundit shqiptarët kanë pasur vetëm miqësi, Bullgarinë. Dhe pse? Jo se ka penguar Shqipërinë, e vërteta është se e ka bllokuar Rama, i tha bukur padroni i tij, janë disa vende që nuk pranojnë të hapen negociatat. Me Shqipërinë, Bullgaria nuk ka asnjë problem. Shqipëria ka problem një njeri që mburret se s’ka master e doktoratë, që nuk kupton çfarë flet, që do të shfrytëzojë çdo fatkeqësi të qytetarëve për të fituar kapital politik përmes tyre.

Shikoni çfarë  bëhet me çmimet, rriten si në asnjë vend tjetër.

Nëse ai avancon me paketën fiskale, me mijëra biznese dhe profesionistë të profesioneve të lira do ta lënë Shqipërinë, u vendos një taksë që se përballon asnjëri prej tyre. Rritja e çmimeve e çon inflacionin në 29%. Sa janë rritur rrogat? Sa janë indeksuar? Asgjë s’ka ndodhur veç politikës së vjetër që nuk zbehet, ‘shtrëngimit të rripit’ që thuhej dikur.

Kam kënaqësi sot që shoh këtu përfaqësues të diasporës, është i domosdoshëm, i një rëndësie të madhe për këtë lëvizje mbështetja e diasporës dhe e emigracionit. Kjo lëvizje ka synim të rivendosë të drejtat e mohuara për diasporën, të drejtën e votimit. Ne do bëjmë gjithçka për avokatinë e të drejtave të tyre në Shqipëri. Por unë shpresoj dhe besoj se dhe ata vetë do përcjellin kudo që janë mesazhin e qartë të familjarët e tyre, të bashkohen në këtë lëvizje pavarësisht bindjeve të tyre”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb