NGA FATMIRA NIKOLLI

I qeshur dhe i vetmuar. Ai shfaqet në të dyja skajet e tij, njeriu i mendimit dhe njeriu i lirisë, me urtinë e Gandit në drejtim të një populli krejt të pambrojtur.

“NANËS. Sonte t’kemi qëndisë në ball, me katër sy, me i tufëz shikime, me ndriçue ma tepër”. Ibrahim Rugova Istog.

Ka qenë ende fëmijë kur ka shkruar këto radhë botuar në një gazetë të kohës. Vite më vonë, në vend të Nanës, ai vuri Kosovën dhe rreth qafës një shall të mëndafshtë, që nuk e hoqi derisa vdiq; shallin e robërisë. Ai u shua 10 vite më parë, kur Kosova ende nuk ishte e pavarur. Dje në Bibliotekën kombëtare u mbajt Konferenca Shkencore “Kujtesa e Rugovës”, me praninë e ministrave të Kulturës të Shqipërisë dhe Kosovës, Mirela Kumbaro dhe Kujtim Shala.

Ndërkaq, në katin e parë të BK-së u çel një ekspozitë me botime të hershme, gjurmët e para si dhe me libra studimorë, teorikë, kritikë, eseistikë, biografikë, punime dhe ese, si një përzgjedhje në përpjekjen që të jepet sa më e plotë tabloja për jetën dhe veprën e tij, një pikënisje që përkon me marrjen dhe dhënien e asaj çfarë krijohet dhe çfarë ruhet nga trashëgimia e shtypur e kujtesës për Rugovën. Krahas ekspozimit të librave, për vizitorët u prezantua edhe ekspozita e fotografive dokumentare për Rugovën të fotografit Fahredin Spahia. Fotografitë e sjellin Rugovën të qeshur, të menduar dhe të vetmuar. Vetë fotografi, në një intervistë për “GSH” ndalet në takimet me të dhe në leximet që u ka bërë ai qëndrimeve të Rugovës. Spahija ka pasur rastin ta takojë disa herë, duke mundur edhe të fiksojë imazhe të ish-presidentit.

-Kur e keni fotografuar për herë të parë?
Janë disa fotografi të tjera, të cilat unë nuk i kam sjellë në këtë ekspozitë. I kam realizuar në Zvicër, dhe kur jam kthyer prej andej, nuk di se ku i kam lënë. Ka qenë ndoshta ka qenë viti 1995-’96, periudhë shumë e trazuar për Kosovën. Rugova ishte kryetari i partisë më të madhe, LDK-së, që mori mbi supe refuzimin që i bëri shtetit të Serbisë, që ishte me të katra këmbët në Kosovë. Ky njeri krijoi një pushtet, krah atij pushteti të egër serb. Nganjëherë njerëzit e krahasojnë me Gandin, por ai ka pasur rreth 1 miliard njerëz rreth vetes. Pushtuesi i Gandit ka qenë më i vogël sesa India, Britania e Madhe, ndërsa ne kemi pasur një pushtues disa herë më të madh.

-Çfarë mbani mend nga takimi i parë me të në Zvicër?
Teksa gazetari po bisedonte me të, gazeta ku ai punonte e mbështeste LDK-në. Asokohe pati dhe disa parti të tjera, punëtore, fshatare. Rugova i kërkoi gazetarit që t’i thoshte kryeredaktorit që të vendoste në faqe të parë dhe fotografitë e kryetarëve të partive të tjera “sepse nuk ka shije që të jem vetëm unë në faqe të parë”. Kjo gjë mua më bëri përshtypje, sepse nuk e ka thënë asnjë lider tjetër. Të tjerët duan që ditë e natë të qëndrojnë në ballinë.

-A ishte ai larg syve të publikut, aq i qetë sa ishte para tij?
Ishte shumë i qetë. Përveçse butësisë, ishte i vendosur për atë që i kishte vënë detyrë vetes: të krijojë shtetin e dytë shqiptar. Natyrisht, që njerëzit e mendonin të pamundur, por kjo u arrit brenda dhjetë viteve, vetëm falë këmbënguljes së tij kur përsëriste se: Kosova duhet të jetë shtet i pavarur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë.

-A ishte e vështirë ta fotografoje?
Kur fotografitë janë shumë të ngarkuara estetikisht, unë përpiqem që të depërtoj më tepër në karakterin e atij që fotografoj. Te Rugova besoj që nëse një apo dy janë shumë të zakonshme, fotot e tjera japin shumë nga karakteri i tij, duke e treguar si mendimtar: ai ishte shumë i kulturuar dhe i ra për hise që të përgjigjej për një popull krejtësisht të pambrojtur.

-Dhe nuk e hoqi kurrë shallin e tij të mëndafshtë?
Shalli i tij u bë ikonik. Madje, ai tha se në momentin që të krijohej pushteti i pavarur do të hiqte shallin, mirëpo ai nuk e arriti ditën e pavarësisë.

-Në fotot e homazheve, njerëzit mbajnë radhë për t’u ndarë me të.
Ditën që Rugova është ndarë nga jeta, qindra qytetarë dolën para teatrit të Kosovës dhe ndezën qirinj për shpirtin e tij, kjo ishte një dalje e spontane. Nuk duhet harruar se Rugova ka pasur shumë kundërshtarë në Kosovë dhe në Shqipëri. Në Kosovë ishte luftë për pushtet, edhe kuptohej se përse nuk gjeti asnjë mbështetës, por ishte pakuptueshme që nuk mundi të gjejë asnjë partner të denjë në Shqipëri, që të çonte vendin përpara. Shqipëria kishte resurse të mjaftueshme për ta mbështetur.

-Janë po ata që e mbështesin sot?
Kush? Sot flet edhe Hashim Thaçi për të, por sa ka qenë gjallë, kanë bërë çmos për ta eliminuar politikisht.

-Keni realizuar fotografi edhe në rezidencën e tij në Prishtinë. A kishte durim?
Po, dhe në një prej vizitave doja që të bëja edhe unë një foto me të. Ai ishte shumë i dashur për të gjithë, nuk ishte një njeri që krijonte barriera rreth vetes. Durimi i tij ishte i paskajshëm. Falë durimit dhe këmbëngulësisë së tij, u bë ajo që u bë në Kosovë. Shumica e bashkëpartiakëve të tij hoqën dorë nga politika, sepse u lodhën. Ndërsa ai praktikisht mbeti i vetmuar në rrugën e tij drejt çlirimit të Kosovës.

-U la vetëm? Çfarë keni menduar për Rugovën përtej politikës së tij?
Gjithnjë kam menduar se ky njeri ka qenë shumë i vetmuar, shumica mendojmë se si ia ka dalë ky njeri vetëm. Ata që kanë ndenjur rreth tij, vetëm kanë përfituar më shumë se kanë ndihmuar. Kishte një fuqi jashtëzakonisht të madhe. Po u rikujtoj për shembull, që ky në vitin 1994 ka thënë që së shpejti Kosovën dhe Shqipërinë do t’i lidhë një autostradë. Ne ishim në kulmin e egërsisë së Serbisë, ndërsa Rugova fliste për autostradë. Shumëkush thoshte se ai është çmendur, por është diçka që ndodhi. Ky njeri i ka paraparë gjërat. A ka pasur informacione prej dikujt të fuqishëm, mbase edhe ka pasur, sepse ka qenë njeri shumë i besuar i administratës amerikane. Fuqitë e Mëdha e dinë paraprakisht se çfarë do ndodhë.

-Nga njeriu i letërsisë dhe i poezisë, ai u bë politikan. Çfarë ndryshoi brenda tij?
I vetmi ndryshim ishte se ai nuk kishte kohë të merrej më me letërsi, përndryshe në karakterin e tij nuk ka pasur asnjë ndryshim. Njerëzit kur bëhen me pushtet ndryshojnë, ai jo. Dhe, duhet thënë se pushteti i tij ishte pothuaj fiktiv, sepse pushtetin e vërtetë e kishte Serbia. Por ishte një njeri që mezi pritej të dilte të fliste. Të premteve ai kishte një konferencë të rregullt për mediat vendëse e të huaja. Ata prisnin që ai të thoshte se Kosova së shpejti do të bëhet një shtet i pavarur dhe i hapur ndaj fqinjëve.

-Çfarë ju thotë juve gjuha e trupit të Rugovës, në një prej fotove, ai është me duar të mbledhura?
Ai tregon thjeshtësinë e tij. Lidhja e duarve tregon modesti, jo për një njeri që do të tregojë forcë politike. Një njeri i urtë dhe modest që çdoherë kishte diçka për të thënë, edhe pse kundërshtarët e tij e kanë tallur për urtësinë e tij dhe daljet e çdojavshme para mediave.`

-Veç Rugovës, keni fotografuar politikanë të tjerë?
Po, kam fotografuar Berishën, Princ Lekën, Alfred Moisiun e kam fotografuar, Edi Ramën dy a tri herë, por në distancë. Mirëpo nuk do t’i ekspozoj asnjëherë sepse janë pjesë e arkivës sime dokumentare.

-Rugovën vendosët ta ekspozonit?
Nuk e kisha ndërmend. Doja ta mbaja për vete, por meqë ishte fjala për 10-vjetorin e vdekjes së tij dhe pati një përpjekje të ministrisë për të nxjerrë në pah vlerat e tij, u bëra pjesë edhe meqë kam simpati të jashtëzakonshme.

-Sa fotografi mund t’i keni bërë Rugovës?
Mbase më shumë se 100, bashkë me ato që nuk po i gjej janë shumë më tepër. Sepse në dy intervista janë 70-80 së paku.

-A bënte pushime Rugova?
Pushime jo. Asnjëherë. Praktikisht familja e tij nuk e kishte të vetin atë periudhë, sepse i është përkushtuar qëllimit të tij dhe kauzës së Kosovës. Përndryshe, familja e tij jetonte afër rezidencës.

-Cila është historia pas fotografisë me fotografin e “The Guardian”?
Është një fotografi e bërë pas fjalimit në zgjedhje. Ai po dilte nga stadiumi. Ju mund të shihni që ka një gjendje Rugova… është plot mendim. Arsyeja pse e kam përzgjedhur këtë foto është prania e fotografit anglez, ndër më të mirët në gazetarinë europiane dhe botërore. Më ka bërë përshtypje se ai kishte ardhur enkas për ta fotografuar Rugovën, meqë i ka dhënë kaq rëndësi kësaj ngjarjeje.

-Në një prej fotove ai është i qeshur, si u bë ajo?
Ishte një moment ku unë u ndjeva mirë që isha pjesë e asaj atmosfere. Për herë të parë e shihja Rugovën të qeshte, pa e frenuar veten. Tek frenimi, më kujtohet që ndërsa bisedonim në Zvicër me gazetarin Llukman Halili, Rugova mbante para një gotë me ujë mineral. Më tha a mund të fotografosh pak këtë gotën se armiqtë e mi thonë shumë se “Rugova pijanec, po pi vazhdimisht”. Më bëri përshtypje se ishte i kujdesshëm që të mos jepte argument për ta përfolur.

-Që të mos përbaltej?
Po, megjithëse kanë bërë shumë përpjekje për ta përbaltur. Pas luftës, pas çlirimit në Kosovë, pushtetin e mori ky dhe jo ata që thanë se luftuan, populli deshi këtë, këtë njeri që ata e përbaltën dhe thanë se me rezistencën paqësore ky na ka përulur dinjitetin, na ka shkatërru si njerëz, etj.

-Një ndër akuzat më të rënda ka qenë për kohën kur Rugova u mor në Serbi. Si u përjetua kjo?
Mirë e thatë që u mor. Është manipuluar shumë me këtë pjesë. Ai u mor në Serbi. Kosova ishte e okupuar egërsisht. U mor me polic dhe u dërgua në Beograd për t’u takuar me Millosheviçin dhe ato pamje kanë vërshuar në mediat botërore. Por e kanë marrë dhunshëm. Ai kishte vendosur të mos e linte Kosovën në një kohë që Kosova ishte gjysmë bosh, njerëzit kishin ikur. Ajo situatë u përdor nga Serbia për të thënë që Rugova shkon te Millosheviçi dhe që nuk ka asnjë problem mes tyre. Për mua nuk e ka dëmtuar aspak imazhin e personalitetin e tij, sepse ishte një truk që kaloi shpejt. Kundërshtarët e përdorën, por nuk u shit shumë ajo propagandë.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: