Milan do të luajë nesër ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, ku do të përballet me Liverpool në “San Siro”, në ndeshjen e fundit të Grupit B. Një motivim më shumë për Ibrën me shokë që ta mbyllin me dinjitet rrugëtimin në Champions. Përtej ndeshje suedezi synon një tjetër arritje.

Në moshën 40 vjeçare Ibrahimoviç ka surprizuar të gjithë me paraqitjet e tij në fushën e blertë. Ai po vazhdon të thyejë rekorde të njëpasnjëshme. Ndeshja me Liverpulin mund ta vendosë sulmuesin në historinë e Champions-it.

Sipas prestigjozes “Corriere dello Sport”, nëse ai shënon kundër anglezëve, do të bëhet lojtari më i vjetër që shënon në këtë kompeticion. Rekordin e mban legjenda e Romës, Francesco Totti. Italiani shënoi kundër CSK Moskës në 2014-n, kur ishte 38 vjeç e 59 ditë.

Ibra njihet si një person që i bën ballë çdo sfide dhe mundësia për t’i dhënë kualifikimin Milanit me golin e tij, i jep një shtysë më tepër. Të shohim nëse kësaj here do t’ia dalë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb