Zinedin Zidan ishte një trajner pa eksperiencë kur mori drejtimin e Real Madrid, por pavarësisht skepticizmit të përgjithshëm, u largua pas dy vitesh e gjysmë me një tufë trofesh dhe me arritje që nuk i kishte askush tjetër në Champions League. Tani te Real Madrid duan të përsërisin të njëjtën formulë suksesi me një ikonë tjetër të këtij klubi, Raul Gonzalez Blanko. Ish-sulmuesi pak javë më parë ka marrë licencën UEFA B dhe pak nga pak do të fillojë kurset më të avancuara për trajnerë, ato UEFA A dhe UEFA Pro. Reali e sheh atë si një kandidat potencial për pankinën në të ardhmen dhe ashtu si me Zidan, do t’i japë ish-sulmuesit kohën e duhur për t’u rritur.

Zidan u caktua fillimisht si asistent i Ançelotit për të mësuar sa më shumë nga ai, pastaj iu dha drejtimi i skuadrës së Kastija, që është ekipi i dytë i Real Madrid. Edhe pse ai zhgënjeu në kategoritë e ulëta spanjolle, askush nuk e kritikoi atë, përkundrazi. Me rastin e parë që u shfaq, Zidan iu dha drejtimi i skuadrës së parë dhe rezultatet ishin mbresëlënëse. Edhe Raul do të integrohet në radhët e klubit, me shpresën që të jetë një “fotokopje” e francezit në rrugëtimin e tij dhe t’i garantojë Realit një cikël tjetër fitues në të ardhmen. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb