Familja apel Shtetit: “Na ndihmoni të rikthejmë trupin e pajetë të djalit”*
Nga: ARMIR MEHAJ*
PUKE – Një 22 -vjeçar nga fshati Gojan i Pukës është djali që u vra nga një pensionist, mëngjesin e së martës në Milano të Italisë. Gjergj Gjoni është identiteti i viktimës, raportoi sot policia italiane, teksa në njoftimin policor, bëhet e ditur se trupi i tij do t’i nënshtrohet autopsisë të hënën e ardhshme, për të përcaktuar saktë vendin e vrasjes dhe kohën e vdekjes.

Autori vrasjes, një pensionist 65-vjeçar, Francesco Sicignano, i bëri të ditur Policisë se e kishte kryer vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes, por dy prokurorët e Milanos, Antonio Pastore dhe Alberto Nobili, thonë se ka shumë dyshime dhe duhet sqaruar dinamika ekzakte. Goditja e shkaktuar nga 65-vjeçari ka ardhur nga lart-poshtë, drejt e në zemrën e 22-vjeçarit dhe asnjë gjurmë gjaku nuk është gjetur brenda kuzhinës. Trupi i pajetë i 22- vjeçarit u gjet në shkallët e jashtme të godinës ku mendohet se u krye krimi.

Policia italiane identifikoj viktimën nga shenjat e gishtërinjve, pasi i riu shqiptar ishte i njohur më parë për policinë italian si person me precedent penal, çfarë i kishte kushtuar atij riatdhesimin në Itali. Gjergj Gjoni, sipas Policisë, aktualisht jetonte ilegalisht në Itali, teksa strehohej tek një vajzë që mendohet të ishte e dashura e tij.

E teksa lajmi i vdekjes është përhapur familja Gjoni në Gojan të Madh të Pukës ka hapur dyert e mortit. Të afërmit tregojnë se Gjergji ishte i vetmi që siguronte të ardhura për familjen, prindërit, dy vëllezërit dhe tre motrat nuk kishin një mundësi punësimi.

Gjendja ekonomike ku ndodhet familja e të riut, ka shtuar edhe më ankthin për rikthimin e tij të atdhe, pasi prindërit dhe të afërmit e kanë të pamundur përballimin e shpenzimeve për sjelljen e trupit të pajetë. Gjergj Gjoni ishte larguar në drejtim të Italisë në vitit 2012. Disa muaj më vonë ai ishte rikthyer por ëndrra për një jetë më të mirë e kishte çuar sërish në Itali ku dhe gjeti vdekjen.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: