GJIROKASTËR

Ish-burri i shitëses së argjendarisë në Gjirokastër, 40-vjeçari Armando Mevlani është autori i grabitjes. Policia tashmë e ka identifikuar dhe e ka shpallur në kërkim.

Një ditë më parë argjendaria u grabit nga dy persona, një prej të cilëve rezulton të jetë ish-burri i shitëses që punon aty.

Mevlani së bashku me një tjetër, të armatosur me kallashnikov dhe ”Golf” të bardhë hynë dhe morën sende me vlerë duke boshatisur raftet.

NJOFTIMI I POLICISE
Policia e Gjirokastrës zbardhi dhe dokumentoi në kohë rekord ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, ku dy persona kanë vjedhur në një argjendari, nën kërcënimin e armës.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Policia e Gjirokastrës, menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër, organizoi punën dhe falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta bëri të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të njërit prej të autorëve të dyshuar, shtetasit A. M., 40 vjeç, banues në Gjirokastër.

Ky shtetas ka vuajtur më parë dënimin për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja” dhe “Dhuna në familje”.

Shtetasi A. M. dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër, nën kërcënimin e armës, ka vjedhur në një argjendari në lagjen “18 Shtatori”.

Strukturat hetimore të DVP Gjirokastër po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb