SARANDË

Policia e Sarandës duket se është pranë zbardhjes së grabitjes së noterit të njohur Thoma Kaçi, ngjarje e ndodhur më 20 tetor, ku persona të paidentifikuar dhe të maskuar, nën kërcënimin e armës dhe dhunës, vodhën rreth 20 mln lekë të vjetra në banesën e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Vlorë, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 20.10.2021, në lagjen nr.1, Sarandë, ku dy persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e shtetasit T. K. dhe nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme parash në lekë dhe euro, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit automatik që dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje, si dhe një sasi municioni luftarak.

Arma e zjarrit është dërguar për ekzaminime të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë, me qëllim identifikimin me prova shkencore të dy autorëve të ngjarjes.

Gjithashtu është identifikuar dhe mjeti me të cilin janë larguar. Në apartamentin e noterit janë mbledhur dhe prova materiale, gjurmë gishtash, ndërsa ka rezultuarnga dëshmia e tij se maska që kanë përdorur ka qenë maskë Covid. Shuma e vjedhur në lek dhe euro ka qenë rreth 20 mln lekë të vjetra. Noteri Kaçi ka qenë në shtëpi me gruan e tij, punonjëse e bashkisë Finiq kur kanë hyrë grabitësit, rreth orës 07:30 të mëngjesit. Vajza e tij ndodhet jashtë shtetit, ndërsa djali kishte vetëm pak minuta para ngjarjes nga banesa. Po kështu mësohet se për zbardhjen e ngjarjes janë këqyrur një sasi shumë e madhe kamerash përfshirë dhe ato të Bashkisë Sarandë që i ka të shpërndara në zona të ndryshme të qytetit.

Nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes. Materialet shtesë iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme. Mësohet se policia ka identifikuar itinerarin e lëvizjes së tyre, nga i cili ka rezultuar se autorët kanë dalë nga Saranda duke përdorur rrugën numër 5.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb