TIRANE – Shënjestra e sulmit të djeshëm në Rrugën e Kavajës ishte një 34-vjeçar nga Tirana, i identifikuar si Nelgert Astrit Pata. Sipas policisë, në drejtim të Patës u qëllua njëherë me pistoletë, por 34-vjeçari arriti të shpëtonte, pasi plumbi i kaloi pranë veshit dhe vetëm e lëndoi lehtë.

Pas ngjarjes, Nelgert Pata u largua në këmbë dhe nuk u paraqit në asnjë spital për ndihmë mjekësore. Policia arriti të identifikonte Patën dhe po punon për kapjen e tij.

Ngjarja ku u lëndua 34-vjeçari u shënua pasditen e së dielës, rreth orës 15:45 minuta, kur tre personat e përfshirë në konflikt kanë qenë pranë një lokali në afërsi të ish- Parkut të Autobusëve, në kryeqytet. Burime pranë policisë bënë me dije se të tre këta persona, fillimisht janë konfliktuar me fjalë me njëri-tjetrin, duke përfunduar më pas deri në përdorimin e armëve.

Policia e Tiranës, me t’u vënë në dijeni të ngjarjes nga banorë të zonës, shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi punën për identifikimin dhe vënien në pranga të personave të përfshirë në konflikt. Po ashtu, hetues të çështjes sekuestruan edhe pamjet filmike të kamerës së sigurisë së një biznesi. Të njëjtat burime shtuan më tej, se nga këqyrja e këtyre kamerave vihen re tre persona duke u konfliktuar me njëri-tjetrin, ndërsa njëri prej tyre nxjerr pistoletën nga xhepi dhe qëllon vetëm një herë në drejtim të një personi.

Menjëherë pas kësaj, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes, por policia mundi të ndalojë vetëm dy prej tyre. Zyrtarisht policia tha se nuk ka persona të lënduar, ndërsa burime pranë uniformave blu pohuan se objektivi mund të ketë marrë një gërvishtje të lehtë në vesh.

Dy personat e shoqëruar në polici janë dy shtetas kosovarë, Flamur Hoti dhe Anton Azizi, përkatësisht 26 dhe 31 vjeç.

Në vendin e ngjarjes, hetuesit nuk kanë gjetur asnjë gëzhojë, çka dyshohet që autorët e ngjarjes të kenë përdorur pistoletë me mulli.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb