Prokuroria e Tiranës dyshon ndër të tjera se të dhënat e 700 mijë shqiptarëve janë shitur në tregun e zi për t’u vënë në shërbim të ngritjes së një skeme manipulimi e mashtrimi me kreditë. Përmasat e kësaj skeme mbeten për t’u zbardhur ende nga ana e organit të akuzës, por deri më tani dy janë emrat e dyshuar si të paktën të përfshirë në këtë skemë.

Kur njoftoi arrestimin e katër personave për këtë skandal, Prokuroria e Tiranës tha se dy prej të ndaluarve janë punonjës në sektorin privat, përkatësisht Klodian Sota, si pronar i një zyrë mbledhjeje kredish dhe Endri Ikonomi si bashkëpronar i një institucioni financues mikrokredish.

Dyshohet se dy personat në fjalë kanë qarkulluar listën e pagave mes njëri-tjetrit, ku u pari e ka shfrytëzuar atë për të identifikuar në këtë listë emrat me kredi problematike në bankat e nivelit të dytë dhe institucione të tjera financiare dhe nivelet e tyre të pagave.

Ka dyshime se pasi identifikoheshin kredimarrësit problematikë në këto lista, Klodian Sota i adresonte te institucioni i mikrokredisë së Endri Ikonomit “për t’u zgjidhur hall”. Ky i fundit, sipas dyshimeve edhe të prokurorisë u ofronte një kredi të re shpesh me kushte të njëjta, ose edhe më të pafavorshme për të shlyer kredinë e vjetër.

Për momentin nuk ka një shifër zyrtare se sa qytetarë kanë rënë viktima të kësaj skeme manipulimi, që dyshohet se është ngritur nga dy personat e ndaluar duke shfrytëzuar të dhënat personale të shtetasve 700 mijë qytetarëve.

Deri më tani, prokuroria thotë se ka zbardhur skemën se si këto të dhëna kanë dalë në publik. Sipas prokurorisë, punonjësja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Eni Qirjako ja ka kaluar kolegut Andi Agaraj.

Agaraj më pas këto të dhëna dyshohet se ja ka shitur për 20 mijë deri në 30 mijë lek përmbaruesit Klodian Sota, ndërsa Sota më pas ja ka shitur po me këtë vlerë shtetasit Endri Ikonomi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: