Numri i civilëve që kanë migruar pranë linjës kufitare turke nga rajoni sirian i Idlibit që nga fillimi i nëntorit ka kaluar në mbi 328 mijë si pasojë e sulmeve të regjimit të Bashar al-Assadit, Rusisë dhe grupeve të mbështetura nga Irani, pasi së fundmi edhe 44 mijë civilë janë zhvendosur në këtë zonë në katër ditët e fundit si pasojë e agresionit,

Popullata në provincën e Idlibit filloi të zhvendoset drejt linjës kufitare me Turqinë që kur regjimi sirian dhe mbështetësit e tij i intensifikuan sulmet në nëntor.

Muhammed Hallaj, drejtor i Grupit të Koordinimit dhe Reagimit në Siri, tha për AA se 44 mijë civilë janë zhvendosur në katër ditët e fundit, duke shtuar se numri i civilëve të shpërngulur pranë kufirit Siri-Turqi që nga fillimi i nëntorit ka arritur në 328.418.

Ai më herët ka thënë se në rast të riintensifikimit të sulmeve, një valë e re e migrantëve mund të fillojë nga rajoni Jabal al-Zawiya, me çka 250 mijë civilë mund të shpërngulen nga vendbanimet e tyre.

Ndryshe, gjatë takimit të Turqisë, Rusisë dhe Iranit në maj të vitit 2017 në Astana të Kazakistanit, Idlibi u shpall zonë e deeskalimit, ku aktet e agresionit do të ndaloheshin.

Turqia dhe Rusia arritën një marrëveshje shtesë në shtator të vitit të kaluar në Soçi si pasojë e shkeljes së armëpushimit nga ana e regjimit sirian.

Megjithatë, forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve i kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes. Që nga ajo datë, mbi 1.300 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb