Koordinimi i Ndërhyrjes Siriane ka njoftuar se 188 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të kryera muajin e kaluar në Idlib të Sirisë nga forcat e regjimit të Bashar al-Asadit dhe mbështetësit të tij Rusisë.

Sipas raportit të publikuar nga Koordinimi i Ndërhyrjes Siriane, e cila përpilon të dhënat lidhur me civilët e zhvendosur në Idlib, 188 civilë, përfshirë 64 fëmijë e kanë humbur jetën si pasojë e bombardimeve që regjimi i Asadit dhe Rusia kanë kryer muajin e kaluar në Idlib.

Po ashtu bëhet e ditur se në mesin e personave që kanë humbur jetën është një punonjës i Mbrojtjes Civile (Baretat e Bardha) dhe një punonjës i shëndetësisë.

Në sulmet e kryera muajin e kaluar në rajon nga regjimi dhe Rusia, janë vendosur në objektiv 28 shkolla, 7 qytete të tendave, 11 komplekse shëndetësore, 9 tregje, 19 vende të adhurimit, 5 qendra të mbrojtjes civile, 3 centrale uji dhe 2 elektrike si dhe 4 furra.

Nuk u zbatuan marrëveshjet e Astanas dhe Soçit

Idlibi në veriperëndim të Sirisë, pothuajse që nga fillimi i luftës së brendshme ka qenë në cilësinë e kështjellës për opozitarët. Në mars të vitit 2015, opozitarët vendosën kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të brendshme të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më shpesh sulmohet nga forcat e regjimit.

Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën 4 zona të deeskalimit, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij në (Latakia, Hama dhe Halep), pjesa veriore e qytetit Homs, Guta Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë duke shkelur armëpushimin, përveç Idlibit morën nën kontroll zonat tjera të mbetura nga 4 rajonet për të cilët ishte vendosur që të ruhej situata e tyre. Si pasojë e sulmeve, qindra mijëra civilë u zhvendosën në veri në pjesët pranë kufirit me Turqinë.

Sulmet e Rusisë vazhduan edhe pak kohë pas marrëveshjes së nënshkruar me Turqinë më 17 shtator 2018 në qytetin Soçi të Rusisë. Sulmet e Rusisë, regjimit dhe terroristëve me mbështetje iraniane të cilat kishin në objektiv rajonin e deeskalimit në Idlib, që nga fillimi i vitit 2019 e deri më tani shkaktuan zhvendosjen e rreth 1,3 milionë civilëve në zonat pranë kufirit me Turqinë. Ndërkohë, nga bombardimet thuhet se kanë humbur jetën rreth 1.800 civilë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb