TIRANE-“Drogë, prostitucion dhe trafikim në Idomeni”. Me këtë titull mediat greke përshkruajnë atë që po ndodh së fundi në kampin e refugjatëve në Idomeni të Greqisë, ku mijëra njerëz të larguar nga Siria dhe Lindja e Mesme qëndrojnë prej muajsh dhe këmbëngulin të kalojnë kufirin Greqi-Maqedoni drejt Evropës Veriore.

Grupet kriminale nga Maroku dhe Iraku janë zhvilluar javët e fundit në Idomeni dhe përfitojnë sa të mundin nga refugjatët e varfër dhe të pambrojtur. Trafikimit të qenieve njerëzore, trafikut të drogës dhe cigareve kontrabandë iu është shtuar ditët e fundit edhe prostitucioni. Mediat iu referohen burimeve të tyre dhe shkruajnë se trafikantët shfrytëzojnë femra që ose kanë humbur burrat e tyre në lufte, ose ata nuk kanë mundur të hyjnë në Greqi. Madje flitet edhe për dy dhoma në Idomeni që janë improvizuar si shtëpi publike. Si të tilla përdoren vagonët e braktisur të trenave dhe ndërtesa të vjetra. Paratë që trafikantët marrin nga çdo klient variojnë nga 5-10 euro.

Në Idomeni ndodhen aktualisht rreth 9000 persona ndërsa në gjithë Greqinë numërohen 54 500 refugjatë të shpërndarë kryesisht në veri të vendit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: