Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, ka shpërthyer ndaj policisë, nga protesta kundër vizitës së ministrit të Jashtëm grek në Tiranë. Idrizi tha se policia ka ushtruar terror ndaj protestuesve, si dhe ka arrestuar 24 shqiptarë të Çamërisë.

Mes të tjerash, kreu i PDIU paralajmëroi policët, duke thënë se do t’i mbajë mend emër për emër dhe fytyrë për fytyrë të gjithë ata që arrestuan sot protestuesit.

“Kam pas fatin që të kem qenë që në 90-ën një nga ato studentët e dhjetorit dhe përpara kishim tmerrin dhe bishën komuniste, ku njerëzit burgoseshin e vriteshin për një fjalë gojë. Kam qenë në shumë protesta, por kjo është protesta kur policia është sjellë në mënyrë më të poshtër, me terror, pa asnjë ndjenjë njerëzore. Janë arrestuar 24 shqiptarë të Çamërisë, që kishin ardhur të protestonin. Ky terror nuk mund të kalojë kështu. Jo vetëm që ne do të marrim të gjithë hapat ligjorë, por i jam drejtuar disa herë policisë, duke i thënë që ‘nuk kemi ardhur këtu për ju, por për ministrin grek’.

Ne nuk kemi ardhur të tregojmë forcën me ta, as me Edi Ramën që vetë bën mitingje, ndërsa çamët nuk duhet të protestojnë për detin. Po ju them publikisht policëve në emër të 24 vetëve “do t’i mbajmë mend emër për emër e fytyrë për fytyrë të gjithë. Nëse janë trima le të shkojnë të turren në jug e të kapin gjithë ata që djegin flamurin shqiptar. Le të kapin vrasësit, dhe jo të merren këtu me çamët”. Turp për këtë polici. Do t’i shkojmë deri në fund. Nëse janë shërbëtorë të krimit apo për një çap bukë, më mirë ta hedhin atë kapele”, tha Idrizi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb