Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi, përmes një video të publikuar në rrjete sociale, ka përkujtuar vuajtjet e çamëve ndër vite nga regjimi komunist, ndërsa, teksa heq paralele me realitetin thotë se “më 25 prill do të jetë dita jonë përballë ‘oktapodit’ të rilindjes”.

Ai përkujton vitin 1944 duke thënë se “i kemi duruar kur e zhvendosën Batalionin Çamëria në Korçë që mos t’u vinin në ndihmë vëllezërve të tyre çamë që po masakroheshin nga bandat e Napolon Zervës”.

Kreu i PDIU kujton edhe kur u vranë dhe u burgos elita çame më gjyqe të inskenuara nga regjimi komunist sipas modelit rus të Vishinskit.

Idrizi, përmend edhe vitin 2013, siç shprehet se nuk lanë gjë pa bërë për t’i përçarë çamët me një parti tjetër çame.

Sakaq, Idrizi nuk lë pa kujtuar edhe vitin 2017 ku thotë se i masakronin mandatet e Çamërisë që në Parlament të mos ishte për 4 vjet Zëri i Çamërisë, referuar mandatit të Tiranës dhe Fierit, që u mohuan nga komisionerët e PS, të cilët grabitën votat në tryezën e numërimit.

“Më 25 Prill është dita jonë, përballë oktapodit dhe tentakulave të Rilindjes mavi!”, shkruan kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi.

Statusi i plotë:
I kemi duruar në 1944, kur e zhvendosën Batalionin Çamëria në Korçë që mos t’u vinin në ndihmë vëllezërve të tyre Çamë që po masakroheshin nga bandat e Napolon Zervës!

I kemi duruar në 1960 kur vranë e burgosën elitën Çame me gjyqe të inskenuara sipas modelit rus të Vishinskit;

I kemi duruar kur na margjinalizonin dhe etiketonin deri në kufijtë e racizmit si qytetarë të dorës së dytë në vendin amë;

I kemi duruar kur anëtarët e Shoqatës Patriotike Çamëria në vitin 2004 rriheshin në dyert e Parlamentit të Shqipërisë sepse kërkonin miratimin e një Rezolute për Çamërinë;

I kemi duruar ne 2013 kur bënë gjithshka të na përçanin me një parti tjetër çame;

I kemi duruar në vitin 2017 kur masakronin mandatet e Çamërisë që në Parlament të mos ishte për 4 vjet Zëri i Çamërisë;

I kemi duruar 4 vjet kur hiqnin Çamërinë nga programi i qeverisë shqiptare;

Nuk i durojmë më që guxojnë në marrëzinë të heqin nga librat e Historisë së Shqipërisë emrin Çamëri!!!

Nuk ja falim kurrë dhunën, goditjen dhe arrestimin e 25 anëtarëve të Shoqatës Patriotike Çamëria në protestë, për ti bërë qejfin Ministrit të Jashtëm grek!

Çamëria nuk harron!

Kurrë, kurrë më!

Çamëria është nderi ynë, është arsyeja jonë e përditshme për të luftuar dhe për të ndrequr padrejtësinë historike.

Më 25 Prill është dita jonë, përballë oktapodit dhe tentakulave të Rilindjes mavi!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb