Administratori i klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, nga fjalët ka kaluar në vepra pasi sot ka depozituar në prokurori një kallëzim penal për kreun e FSHFS-së Armando Duka. Kallëzimi ka të bëjë me shoqatat e paregjistruara të Asamblesë Zgjedhore e cila më 7 shkurt do të mblidhet për të votuar kreun e ri të federatës.

“Ky ishte hapi i parë i dukshëm dhe se do të ketë hapa të tjerë. Kallëzimi penal është bërë për shoqatat e paligjshme, që nuk figurojnë të regjistruara në gjykatë, por kanë votuar dhe pretendojnë të votojnë në asamblenë e ardhshme zgjedhore. E bëj këtë kallëzim penal për shoqatat fantazmë, shoqatat e paligjshme, pas njoftimit në media, se bëhet fjalë për një situatatë të tillë. Kundër kujt? Janë 12 shoqata të paligjshme, pikërisht për këtë bëmë kallëzim penal si klub dhe anëtar i FSHF-së. Fjalën e ka Prokuroria tashmë, ky është hapi i parë i dukshëm, por ka edhe hapa të tjerë. Flasim për një futboll të pastër, që nuk ka administratë të pastër”.

Ndërkohë, bëhet me dije se FSHF-ja ka vepruar në fshehtësi dhe ka kërkuar pranë Gjykatës së Tiranës të regjistrojë katër shoqata, teksa sot është hedhur edhe shorti për gjyqtarin përkatës, që do të merret me këtë kërkesë të palëve të interesuara, konkretisht të Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës, Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë, Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier dhe Shoqatës Shqiptare të Minifutbollit.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb