Çështja çame është pika ndarëse tashmë mes PDIU-së dhe qeverisë “Rama”. Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tregon për “Gazeta Shqiptare” arsyet pse ikën nga koalicioni me PS-në dhe iu bashkuan aleancës së kryesuar nga Lulzim Basha. Idrizi thotë se kur mazhoranca mori mandatin, e kishte në program çështjen e gjenocidit çam, por më pas e hoqi, gjë që detyroi prishjen e marrëveshjes dypalëshe.

Sipas tij, qëndrimi i qeverisë ndaj çështjes çame dhe ndryshimi total i kursit bën që PDIU të kalojë në opozitë. Me opozitën e drejtuar nga Lulzim Basha firmosi në prani të Presidentit të nderit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zotin Migliori. Garancia ishte e fortë për Shpëtim Idrizin, saqë nuk e “frikësoi” fakti se në të njëjtin front me të kundër Ramës është edhe Vangjel Dule i PBDNJ-së. “Unë e di shumë mirë cilët janë pjesëtarët e koalicionit, sepse lexoj edhe gazetat, por marrëveshja ësh-të programore dhe jo individuale. Kur ti punon për një marrëveshje programore, nuk mund të bësh negociatat në të pëlqen apo jo një tjetër anëtar i koalicionit. Ajo që më pëlqen është që çështja çame është në programin e opozitës dhe do të jetë në programin e qeverisë së saj”, – tha z.Idrizi.

Zoti Idrizi, përse PDIU-ja vendosi që të kalojë në opozitë?
PDIU nuk kaloi në opozitë. Ne ishim në opozitë. Tani thjesht u bashkuam me frontin opozitar, sepse jemi të bindur që përballë një mazhorance arrogante e që e qeveris këtë vend me një ekonomi pa busull, e lodhur pas 5 vjet qeverisje, e tejngopur nga aferat me një grusht oligarkësh e gjithnjë e më e personalizuar nga i vetmuari i madh Rama, vendit i duhet një opozitë e fortë e që duhet të kthejë shpresën te shqiptarët. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ose më mirë në masakrën e fundit elektorale, PDIU doli e vetme dhe haptas në program dhe qëllime kundër politikave qeveritare ndaj çështjes kombëtare, ekonomisë dhe zhvillimeve të tjera të natyrës tepsi. Po ju kujtoj që në këto zgjedhje PDIU u votua me mbi 76 mijë vota, 35 për qind më shumë se në vitin 2013, por u masakrua në mandate në Tiranë dhe në Fier dhe nga marrëveshja Rama-Basha për mosformimin e koalicioneve në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Por, për shkeljen e Kodit Zgjedhor, për vjedhjen e mandat-eve të PDIU, për mospërfaqësimin e mbi 76 mijë votave nuk flet njeri.

Kjo do të thotë se nuk keni qeverisur me Edi Ramën?
Në fakt, nuk kemi qenë as-njëherë në qeveri, thjesht bashkëpunonim për re-formën administrative dhe padyshim për çështjen çame. A e dini që në mandatin e kaluar kjo mazhorancë e kishte në programin e qeverisë çështjen e gjenocidit çam e sot nuk ka më? E dini besoj që deri dje Rama e Bushati flisnin e bërtisnin për çështjen çame sa na çudisnin edhe ne për këta “trima” që kishte nxjerrë Shqipëria, e sot thonë që “na falni pak se ashtu ishte loja e ne duhet ta përdornim çështjen çame si çakmak për të nxehur temperaturën me Athinën që të ulemi në tavolinë? E dini besoj që deri dje Bushati bash-kë me ne do e çonim çështjen çame në Bruksel te komisioneri Han, që së bashku me heqjen e ligjit të luftës të ish-te një ndër çështjet kryesore të dialogut Athinë- Tiranë. E dini besoj që kur shoqata “Çamëria” e PDIU kërkuan publikisht e zyrtarisht të takoheshin me Bushatin e të informoheshin për ecurinë e bisedimeve, për çështjen çame, të ashtuquajturën marrëveshje e detit etj., Bushati nuk denjoi as të na takonte më, megjithatë para një viti desh u anëtarësua në shoqatën “Çamëria” si çam i konvertuar. Po besoj e dini se ndërkohë që Bushati nuk denjoi të na takonte, përgjigjen na e jepte Ciprasi. Kotziasi e i “famshmi” Pamenos (që një vit më parë i veshur me rroba ushtarake kërcënonte në kufi me trupa Shqipërinë

“Çështja çame nuk ekziston, nuk kemi folur kurrë për çështjen çame e jemi të kënaqur me marrëveshjen me Shqipërinë”. E pastaj Rama që ka vendosur të bëjë marrëveshje të partneritetit strategjik me një vend që nuk njeh as çështjen çame e as shtetin e Kosovë. S’e di çfarë duhet më tepër sesa kaq për të kuptuar se nuk ka lëvizur PDIU, por ka lëvizur rilindasi (po të dëgjonin aty ku u prehet shpirti rilindasit, që formësuan ideologjinë kombëtare e shtetin shqiptar s’e di çdo të ndodhte). Kur thashë ka edhe më, e kisha fjalën për marrëveshjen për toponimet që u bë për 700 pleq çamë, që janë të moshës 75 vjeç e sipër, do detyrohen të ndryshojnë vendlindjen e tyre në pasaportat e veta, pronë e shtetit shqiptar, apo implementimin e marrëveshjes së turpshme për ushtarët grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore që erdhën si pushtues dhe pranuan për reciprocitet që shqiptarët e Çamërisë, të cilët u vranë, u masakruan pleq, gra, fëmijë, burra jo në luftë, jo me armë në dorë, por në shtëpitë e tyre, të mos kërkohej të kishin një varr si për çdo njeri që lë këtë botë e do nderuar nga të gjallët. Mirë për Ciprasin të rënët në luftë pushtuese vlejnë e ata të Çamërisë nuk vlejnë, por edhe për Ramën e Bushatin nuk vlejnë! Kjo e fundit është pika ndarëse, apo bashkuese. Qëndrimi i qeverisë ndaj çështjes çame dhe ndryshimi total i kursit të saj për këtë çështje na nxjerr automatikisht në opozitë.

Intervisten e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare ne print: http://www.gsh.al/2018/10/14/idrizi-parti-klienteliste-pdiu-nuk-pati-kurre-nje-minister/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb