Kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Uniteti, Shpëtim Idrizi deklaroi se ‘fantazmat e kuqe’ të kohës së regjimit të diktaturës në Shqipëri vijojnë që të shfaqen dhe sot në shoqëri.

Gjatë fjalës së tij nga takimi “Persekutimi i shqiptarëve të Çamërisë”, i organizuar nga shoqata patriotike “Çamëria” dhe IDMC, Idrizi tha se nga shoqëria shqiptare ende nuk është ndarë kjo e kaluar, pasi nuk janë dënuar krimet e këtij regjimi të egër. Po ashtu ai theksoi se ky regjim nuk ka kursyer shqiptarët e Çamërisë, të cilët u vranë dhe u persekutuan.

“’Fantazmat e kuqe’ na shfaqen dhe sot në shoqërinë shqiptare. Është e pamundur se si institucionet shqiptare nuk kanë një dënim për atë sistem. Nuk kemi ndarë si shoqëri nga e kaluara, për të dënuar sistemin komunist, që ishte i vendosur në mënyrë jo të natyrshme në Shqipëri. Na vinte nga Rusia Sovjetike. Ne nuk bëmë asnjë radiografi të sistemit sovjetik. Do doja të kthehesha tek ajo që ka ndodhur me shqiptarët e Çamërisë. Nëse ka pasur persona kundër këtij regjimi, ka qenë komuniteti çam. Ne kemi marrë nisma konkrete në parlamentin e Shqipërisë. Do doja të kujtoja nismën e parë për heqjen e dekoratave për ‘kapelet e kuqe’. Ka nevojë që të njohim historinë e diktaturës. Duhet t’i shpjegojmë fëmijëve tanë se ça ka qenë ai regjim diktatorial. Dua një nderim për të gjithë ata shqiptarë të Çamërisë që u vranë dhe u persekutuan.”, -tha Idrizi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb