“Ata kanë uri për të marrë dhe unë kam uri për të dhënë”. Kështu shprehet balerini Igli Mezini, i cili rikthehet në Tiranë, këtë herë për t’i dhënë sado pak nga eksperienca e tij nëpër botë, studentëve të artit skenik në Universitetin e Arteve, përmes një workshop-i që startoi këtë të hënë, për të vijuar gjatë gjithë javës.

“Sot është dita e parë. Jam shumë i lumtur me studentët që kam. Unë jam këtu për të dhënë diçka, ata janë këtu për të marrë atë që unë dua të jap. Në gjykimin tim, të gjithë janë të duhurit dhe përpos faktit se kërcen mirë apo pak më mirë, ose më pak mirë, ajo që ka më shumë rëndësi është se kush je ti. Personaliteti është shumë i rëndësishëm. Unë jam përgjegjës për atë që jap, jo për atë që njerëzit duan të marrin. Workshop-i ndryshon vizionin e një balerini, workshop-i nuk të bën balerin të parë, nuk bëhesh dot me pesë ditë. Workshop-i është thjesht alternativë”, thotë balerini Igli Mezini.

Në korrik të këtij viti, balerini shqiptar do të jetë pjesë e “Beijing Dance Festival” në Pekin, një nga 16 profesorët e mbi 5000 balerinë. Igli Mezini ka punuar me mjaft koreografë të njohur në botë, ndërsa në gusht, do të fillojë një kapitull të ri në karrierën e tij. Ai do të bëhet pjesë e trupës së baletit në teatrin shtetëror të Zvicrës, aty ku edhe është zhvendosur muajt e fundit, për të jetuar dhe punuar.

“Kam firmosur për teatrin shtetëror në Zvicër, do filloj nga zero në një teatër të ri le të themi”, zbulon Mezini.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb