TIRANE- Rrokadë femrash në financat e vendit. Vasilika Vjero do të jetë Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, duke zëvendësuar në këtë post Briseida Shehaj, e cila tashmë do të mbajë postin e zëvendësministres së Ekonomisë.

Shehaj ka paraqitur një ditë më parë dorëheqjen e saj tek Kryeministri Edi Rama. Në një prononcim të shkurtër për “News24”, ajo ka deklaruar se ka marrë propozim për një detyrë të re, pasi qëndroi për 3 vite në krye të Tatimeve.

Teksa ka folur për herë të parë për largimin e saj nga detyra, Shehaj tha për “Panorama”, se kishte komunikuar me kryeministrin Rama ditën e djeshme për lëvizjen e saj.

Ndonëse thuhet se do të emërohet zv/ministre e Ekonomisë, ajo nuk e ka pranuar këtë në prononcimin e saj.

“Pas një komunikimi që kam zhvilluar ditën e djeshme me Kryeministrin Edi Rama, kam pranuar detyrën e re që më është propozuar. Ajo që dua të theksoj është se gjatë këtyre 3 viteve nën drejtim e Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve, le pas një sistem të ngritur, i cili ka qenë i suksesshëm në mbledhjen e të ardhurave. Në fund të 8 mujorit të ardhurat e realizuara nga Tatimet kanë qenë me rritje 3 miliardë lekë. Detyra e re është një sfidë jo vetëm për mua, por edhe për Qeverinë, pasi punë jonë është puna e një ekipi”, tha Shehaj.

Sakaq, lëvizje janë bërë edhe në Dogana. Belinda Ikonomi emërohet drejtoreshë e Përgjithshme në vend të Pranvera Fagut. Kjo e fundit pritet të emërohet Drejtoreshë e QKR-së. Belinda Ikonomi ka qenë këshilltare ekonomike e kryeministrit Edi Rama. Ajo ka punuar më herët edhe në bashki.

Për sa i përket Drejtoreshës së re të Tatimeve, Vasilika Vjero, ajo është eksperte fiskale. Ajo ka mbajtur detyrën e drejtores së Taksave në Bashkinë e Tiranës, në kohën kur kjo e fundit drejtohej nga Edi Rama.

Vasilika Vjero dha dorëheqjen nga detyra që mbante në Bashkinë e Tiranës, bashkë me disa drejtorë të tjerë të këtij institucioni, të cilët u larguan para se Basha të merrte detyrën. Në tetor 2013, Vjero u emërua në krye të QKR-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb