Nga: BEN ANDONI*
Betim Muço për një kapriçio të kohës dhe të fatit të tij i ka dy pikat e tij fundore jetësore shumë afër. Janë në Janar, një muaj i ftohtë dhe i akullt për Shqipërinë, e të dyja sikur tia kenë parandjerë fatin qëndrojnë shumë afër. Betimi nuk ishte bestyt, por edhe nëse do të kishte ndonjë elementë të tillë, sigurisht do të dinte tia dhuronte letërsisë dhe ta përqeshte me humorin e tij fin.

Në fakt, figura e tij është në disa plane. Kemi studiuesin, drejtuesin, ideatorin institucional, poetin, shkrimtarin dhe përkthyesin. Në aspekte dhe nivele të ndryshme është njohur nga individë po kaq të ndryshëm, që jo thjesht ruajnë kujtime të mira, por janë të dëshiruar të kujtojnë momentet e ndara me të. Pasi Betimi ishte nga lloji i njerëzve optimistë dhe aspak ankimtarë, me të cilët është fare pak i populluar realiteti ynë.

Dijenitë, kultura, mungesa e kompleksitetit dhe profesionalizmi autoritar e bënte jo thjesht një bashkëbisedues të mirë, një krijues të këndshëm, përkthyes skrupuloz, dhe poet të ndjerë, por edhe një qenie që kishe dëshirë të ndaje gjëra. Dhe, me Betimin, realisht mund ta ndaje emocione, përvoja përkthimesh, kritika dhe opinione. Hapur. Thjesht. Pastër. Janë këto elementë që të trishtojnë dhe të vendosin me këmbët në tokë, kur merr vesh se njeriu përballë teje sështë më.

Dhe, të kthjellohesh edhe njëherë nëse të gjithë ato plane, dëshira, eksperienca kanë qenë të vërteta apo fantazi. Jo shumë kohë më vonë do kuptosh po vetë se kanë qenë realitete dhe të tilla të këndshme, të shprehura nga një njeri i mirë. Pasi, mungesa e beftë e njeriut të mirë është realiteti më i dhimbshëm në shoqëri. Sidomos kur kapriçio e fatit e largon në apogje të fuqive njerëzore. Pa dëshirë.

 

Intervistoi: Ben Andoni
Marta do të jetë dhe pak ditë në Shqipëri, të mjaftueshme për ti ndarë me miqtë dhe dashamirët, por më shumë në përkujtim të bashkëshortit të saj të ndjerë, Betim Muço. Nuk po hymë më shumë në sqarime sepse shumë gjëra janë thënë në këtë intervistë…

Një vit më pas. Pa të. Betimi, realisht, ka lënë një hapësirë vërtetë të pambushme. Janë të shumë njerëzit që nuk e kanë zëvendësuar ende në list-adresat e tyre. Nga i vinte e gjithë kjo dëshirë e madhe për të jetuar, punuar dhe madje edhe për ta ndarë me njerëzit, në këndvështrimin tuaj?
“Është akoma e pabesueshme që pas 40 vitesh së bashku, Betimi nuk është më fizikisht me ne. Pyetja juaj më intrigon të mendoj se cila qe ajo shtysë e pashtershme që e bënte Betimin të kishte një qasje aq të veçantë për jetën?

Unë mendoj se dëshira për të jetuar është universale. Njeriu ka lindur për ta dashur jetën. Por njerëz të ndryshëm e duan atë në mënyra të ndryshme si dhe e demonstrojnë atë në mënyrë individuale. Të flasësh për dashurinë e Betimit për jetën është shumë e ndërlikuar. Për mendimin tim, ajo i vinte së brendshmi. Jeta i jepte gëzim dhe e bënte atë të ishte energjik e i palodhur. Nganjëherë e bënte të grindej me veten dhe të dëshpërohej thellësisht nga përditshmëritë banale dhe të shëmtuara, por ai kthehej tek ajo dhe gjithnjë dinte të gjente të mirën dhe te bukurën. Sado e mjegulluar të ishte ajo. Shpesh mendoj se kjo i jepet njeriut vetvetiu dhe sado të përpiqet ai nuk e fiton dot atë me kohe. Dashuria për jetën shprehet kudo në letërsinë e Betimit por, sikurse është e pritshme për mendimtarët si ai, ajo vinte sëbashku me përsiatjet jo të rralla mbi vdekjen si shoqëruesja më e natyrshme e jetës.
Nga ana tjetër, njeriu jo gjithnjë ka lindur për ta dashur punën. Puna nuk u jep të gjithë njerëzve të njëjtin gëzim. Dhe kjo për arsye të ndryshme. Por Betimi bënte pjesë në atë kategori të rrallë dhe fort të vyer që nuk e kuptonte jetën pa punën, që nuk e lidhte punën me të mirat materiale që vijnë prej saj dhe vetëm ato. Dashuria për punën është po ashtu një shtysë e brendshme dhe unë mendoj se lidhet me edukatën që dikush merr që në rini të vet por edhe me talentin dhe gjeninë që ai ka. Ishte pikërisht talenti dhe njohuritë e thella mbi botën, pan-humanizmi, kozmopolitizmi, vëzhgimi aktiv i shpirtit të njeriut dhe dashuria e madhe për të, që e vendosin Betimin në një vend të veçantë në botën e të mençurve. Siç e thoshte edhe vetë, përpjekja ishte ajo që e mbante gjallë.

Mos thuaj kurrë….
Mos thuaj kurrë se shpresa është e kotë
Se ç’tjetër gjë në jetë na mban gjallë?
Me ëndrra shumë vijmë te kjo botë
Dhe ikim mendimthyer e shpirtvrarë

Po ç’është bota veç veprimit tonë?
E gjithë lumturia, një vegim.
Përpjekja është ajo që bën të rrojmë
Edhe kur kemi vdekur, miku im.
(2004)
( nga Bumerang, EPH 2009)

Shkencëtarët e vërtetë bëjnë shkencën, shkrimtarët shkruajnë, përkthyesit përkthejnë, gazetarët raportojnë ngjarjet dhe botuesit botojnë libra. Betimi i ka bërë të gjitha këto, veç e veç dhe së bashku, dikur më shumë e dikur më pak gjatë jetës së tij, por ama i ka bërë të gjitha dhe i ka bërë të gjitha mirë. Njerëzit që janë ndodhur pranë tij, media dhe publiku, kanë ndeshur njërin apo tjetrin talent të tij, por pak e dinin vërtet se ai ishte një shkencëtar i shquar e i vlerësuar ndërkombtarisht, me botime të panumërta në revista shkencore që mbartin gjetje origjinale, me libra dhe prezantime shkencore aktivitetesh në shumë vende të botës. Ndërkaq ai ishte një poet brilant, i thellë dhe shpesh filozofik, një lëvrues i përsosur i tregimit të shkurtër, një eseist i talentuar dhe krejt origjinal, një shkrues i talentuar lirikash të këngëve, një përkthyes i rrallë dhe përzgjedhës e botues unik i letërsisë së madhe të botës. Betimi ishte një njeri poliedrik, me vlera dhe talent kaq të bollshëm që tregohet edhe nga bilanci i asaj çfarë ka lenë ai mbrapa, mbi 25 libra me poezi, tregime, romane, novela dhe esse, pa folur për një numër të madh artikujsh në shtypin e përditshëm dhe atë letrar. Ai solli në shqip me dhjetëra autorë të huaj në prozë e poezi si dhe shkroi një numër shumë të madh lirikash të këngëve shqiptare në vite. Dashuria dhe njohuritë mbi muzikën e bënë Betimin të bashkëpunonte ngushtë me kompozitorët më të mirë që ka pasur vendi për shumë e shumë vite. Ka mjaft njerëz që e kujtojnë atë pikërisht për këtë zhanër.

Dhe të gjitha këto produkte shkencore dhe artistike të bollshme, shpesh të anashkaluara me indiferencë dhe të papërmendura, ai i ndante në mënyrën më modeste me të gjithë njerëzit që ndeshte në jetën e përditshme, nga njeriu i thjeshtë tek intelektualët e klasit të parë. Betimi vërtet nuk është me ne që prej një viti por ai ka ndarë me ne, me mua, me fëmijët, me shokët dhe miqtë e tij të shumtë dashurinë për jetën, për punën, për gëzimet e vogla dhe të mëdha të njeriut, trishtimin dhe hallet e të përditshmes, përpjekjen për triumfin e arsyes dhe diturisë mbi mediokritetin dhe injorancën”.

Në të gjallë, Betimi e plotësoi të gjithë kuadrin e ciklit të karrierës dhe sërish nuk reshte së planifikuari. Por edhe pse me një përvojë të admirueshme, studime cilësore, nuk mundi të ishte dot në radhët e Akademisë shqiptare të Shkencave. Si e përcillte në familje deziluzionin e tij?
“Deziluzionet e Betimit kanë filluar herët në rininë e tij. Deziluzioni i parë më i madh ishte me komunizmin dhe mënyrën se si ai u zbatua në Shqipëri. Trishtim i vërtetë për të ishte se si u diferencua familja e tij dhe ai vetë ndër vite. Historia e tij ishte orwelliane në një farë mënyre, por edhe tipike shqiptare për faktin se ai nuk qe i vetmi. Akademia e atëhershme, me porosi nga strukturat e shtetit, nuk e lejoi Betimin pothuaj deri në fillim të vitit 1990 të shkonte jashtë shtetit për veprimtari shkencore, në një kohe kur ai mund të ishte ndër të paktët shkencëtarë që studimet e tij kishin kaluar kufijtë e vendit. Ai jetoi kohën e ndryshimeve demokratike në Shqipëri dhe pa me shumë trishtim që ato nuk u përcollën si duhet në Akademinë e Shkencave, pavarësisht përpjekjeve. Ai shkroi që në fillim të viteve 90 në revistën prestigjioze Nature për domosdoshmërinë e reformimit të saj, pa hedhur poshtë meritat dhe punën shkencore të bërë ndër vite nga mjaft punonjës të talentuar. Po ashtu edhe në shtypin e vendit. Ai u përpoq për këto ndryshime edhe kur ishte brenda sistemit të akademisë dhe drejtues i Institutit të Sizmologjisë. Por duke qenë mjaft modest e aspak i zhurmshëm dhe politikisht i paangazhuar, idetë e tij ranë sistematikisht në vesh të shurdhër. Ndryshimet që ndodhën ndër vite dhe nën të gjitha qeveritë ishin të pa konsiderueshme e të pamjaftueshme sipas tij, ose shpesh edhe me pasoja negative. Betimi mendonte se shumica e ndryshimeve që ndodhën nuk ishin të mirëfillta dhe u përdorën më së shumti për arsye politike dhe ambicie të mëdha të njerëzve të vegjël, apo thjesht për interesa të ngushta personale. Nga copat e dorëshkrimeve të tij për një roman me vjen ndërmend tani një shënim i tij që thoshte: “Zoti bën punëra të çuditshme. Fatin e njerëzve të mëdhenj e lë shpeshherë në duart e ca njerëzve mediokër e anonimë” (shënime për një roman 23.10.2003). Për reformimin dhe demokratizimin e vërtetë të shkencës ai nuk rreshti së shkruari dhe shprehuri në mënyrë konstruktive edhe në 15 vitet e fundit që jetoi e punoi në Amerikë.
Oh, përpara se ti përgjigjem pyetjes tënde për deziluzionin që nuk arriti të bëhet akademik më kujtohet një vjershë shumë e goditur e tij, e shkruar me humor në 2003 për pretendimet që njerëzit shpesh kanë për arritje që si kanë realizuar:

Njeriu i vogël
Njeriu i vogël që jeton tek unë
Ankohet shpesh se meriton më tepër
Dhe pse fundin e botës se ka cekur kurrë
E ngushtë ajo i duket, dhe e cekët

Asnjë s i ngjan më i mirë se vetja
Askush nuk vlen më shumë se ai
Pretendimin e ka të madh sa një kungull
Dhe zemrën të vogël, sa një kokërr lajthi

Smbaj mënt sa kohë kam që me të shahem e rrihem
Dhe prapë nga vetja sarrij dot ta flak
Njeriu i vogël me mua ka lindur
Dhe kurrë smë ndahet, i ri apo plak.

( nga Bumerang, EPH 2009)
Të them të vërtetën mosqenja e tij zyrtarisht si Akademik ishte trishtimi më i parëndësishëm që kish Betimi dhe unë mendoj se kjo ishte një humbje për vetë Akademinë, dhe jo për të. Ai kurrë nuk mbajti mëri për faktin që nuk u ftua të bëhej akademik. Përpos faktit që ai punoi 30 vjet në sistemin e Akademisë, ai e përfaqësoi realisht atë në shumë projekte ndërkombëtare në vende dhe organizata të ndryshme të botës. Ai bashkëdrejtoi dy projekte të rëndësishme te programit NATO Science for Peace duke përfaqësuar palën shqiptare edhe kur ishte ne Amerikë. Sikurse edhe plot shqiptarë të tjerë të talentuar, pa zhurmë e bujë të madhe, por me një punë të shkëlqyer shkencore, me botime dhe prezantime cilësore deri në fund të jetës së tij, Betimi u be de facto përfaqësues i shkencës shqiptare kudo ku u paraqit. Vetëm në revista shkencore të reçensionuara jashtë Shqipërisë Betimi është autor dhe bashkautor në 39 artikuj shkencorë të botuar që citohen e kuotohen vazhdimisht. E çrëndësi ka se ai nuk u ftua të ishte akademik?”

Do qëndrojmë më shumë në rrafshin kulturor, fushën që mbante gjallë energjitë e tij. Çfarë ruan familja prej dorëshkrimeve të tij dhe a keni filluar tashmë punë me sistemimin e tyre?
“Kemi mjaft gjëra të shkruara që do të sistemohen gradualisht. Së pari ne kemi në duar romanin e tij të fundit “Yjet janë fare pranë” i cili ishte pothuaj në përfundim kur ai na la. Ka qenë shumë e vështirë emocionalisht për mua të punoj me sistemimin e dorëshkrimeve të tij. Do të më duhet pak më shumë kohë që sëbashku me fëmijët të përmbledhim dhe botojmë çka na la mbrapa. Ndërkohë unë jam duke punuar me një numër vjershash, të cilat i kam përkthyer në anglisht dhe që së bashku me të tjera të botuara më parë mund të bëjnë një libër të ri me poezi në anglisht. Gjithashtu kemi një libër me përralla të zgjedhura që është në fakt një ribotim që ai e la pothuaj të mbaruar. Po punohet me ilustrimet dhe kur të dalë do jetë një libër me vlera të veçanta për lexuesin shqiptar, sidomos për fëmijët. Mbase në një kohë të dytë do të ribotojmë të dy antologjitë që ai ka botuar, atë të tregimit dhe të poezisë së shekullit të 20të. Të dyja ato janë vepra madhore me vlera të veçanta për lexuesin shqiptar për sot e për të ardhmen, sidomos për studentët dhe dashamirët e letërsisë botërore”.

Çfarë përkthimesh ruhen ende të pabotuara prej tij dhe cilët planifikonte të sillte në të ardhmen?
“Kishte plane pafund. Sikurse në letërsi edhe në përkthime ai kishte ambicie dhe dëshira të mëdha. Nganjëherë e diskutonim me pasion raportin midis tyre dhe kohën e madhe që i merrte përkthimi në vend të letërsisë së vet. Në një farë mënyre, unë mendoj se fakti që ai përktheu dhe botoi kaq shumë nga letërsia e zgjedhur e botës tregon edhe anën më pak individualiste të tij. Ai donte ti linte publikut shqiptar veprat më të mira të botës. Ai donte të ndante me njerëzit entuziazmin e tij për të bukurën ashtu dhe atje ku e shihte ai. Së fundmi e kisha parë që po mendonte të përkthente një libër të Julian Barnes, “The sense of an ending”, por fatkeqësisht nuk e filloi kurrë sepse po merrej me romanin e fundit. Ne ruajmë shumë dorëshkrime të tij nga përkthime të librave filozofike por unë nuk mendoj se ato do ti botojmë në një të ardhme të afërt. Është një punë shumë e madhe që vetëm ai mund ta bënte”.

E ndani dot angazhimin e tij më të madh në letërsi: ishte më afër poezisë, prozës apo përkthimit?
“Është njëlloj sikur ta pyesësh një prind si e ndan dashurinë e tij për fëmijët. Ato ishin si gishtat e dorës, asnjë nuk pret dot, të gjitha dhëmbin. Gjithashtu, në periudha të ndryshme të jetës ai ka qenë i dedikuar më shumë tek një zhanër apo një tjetër i krijimeve, apo tek përkthimi, për arsye të ndryshme.
Sidoqoftë poezia ishte ajo që e shoqëronte që në mëngjes, e mbante në buzë, e mbante në duar, e shkruante në një copë picete letre në restorant, e shkruante në shënime të shtrembra mbas librash dhe tani së fundi në kompjutera dhe tablete, ipad-e dhe mjete të tjera elektronike, sipas rastit dhe si ti vinte. Poezia jetonte me të dhe e shoqëronte kudo. Do doja të veçoja librin e tij të fundit me poezi Bumerang (EPH, 2009). Ai është një nga librat më të mira me poezi të botuara në shqip. Uroj që lexuesi shqiptar ta marrë atë në duar. Është në Amazon sikurse të gjitha librat e Betimit, është në librarinë Adrion gjithashtu. Nuk e them këtë si bashkëshortja dhe shoqja e tij më e afërt. E them si një nga lexueset më të palodhura të poezisë shqipe që në moshë shumë të re.
Proza i hante më shumë kohë. Betimi mbeti shkencëtar dhe sistematik edhe kur shkroi prozën. Ai bënte një kërkim të hollësishëm përpara çdo proze të gjatë që ai ka shkruar. Përgatitjet për një roman i merrnin shumë kohë. Tregimi i shkurtër, një tjetër zhanër i dashur për Betimin, ishte më afër poezisë, kur esetë dhe tregimi filozofik i hanin më shumë kohë, ndërsa përpëlitej me veten si në një lindje sublime deri sa prodhonte ato pjesëza të vogla brilante që na ka lenë. Rrëfenjat e Hamburgut (EPH, 2007) janë një shembull i qartë i kësaj pune”.

Si e administronte kohën fizike mes

shkencës dhe kulturës, cila i hynte më shumë në hak, të themi?
“Asnjëherë nuk i ndau vërtet nga njëra-tjetra dhe si një mjeshtër i mirë nuk mbajti anë. Dikotomia apo dyzimi i tij i rrallë midis shkencës dhe letërsisë e ushqente Betimin në të dy anët: letërsia e tij bëhej me racionale, e bazuar në të vërteta të provuara e jo thjesht të treguara. Racionaliteti i shkencave të sakta e bënin shpesh letërsinë e tij të pasqyronte një model llogjik të qartë. Ndërkaq hulumtimi shkencor, përveç që shkruhej më mire, shkonte edhe më pranë njerëzve që ishin subjekti më i madh i letërsisë së Betimit. Libri i tij “Tërmetet-demonët e nëntokës” (1996) ishte një përpjekje e suksesshme për të shpjeguar tërmetet në mënyrë të thjeshtë për tu kuptuar nga të gjithë sidomos nxënësit e shkollave.
Shkenca, letërsia dhe kultura jepnin e merrnin tek Betimi dhe asnjë herë nuk i hynë në hak njëra- tjetrës. Sidoqoftë koha është një parametër i kufizuar dhe frika e tij më e madhe ishte që nuk do ti dilte jeta të shkruante ato që donte të shkruante, të hulumtonte ato që skish mundur të bënte, të shikonte ato vende dhe kultura që si kishte parë. E pati peng që nuk kishte vajtur dot në një ekspeditë në Antarktidë apo në Polin e Veriut. Eksperiencat e pafund që i kish dhënë shkenca e kishin ushqyer Betimin me ngjarje, subjekte, personazhe, njohuri mbi vende dhe njerëz si rrallë herë do të kishte një shkrimtar tjetër”.

Në kohët e fundit, dëshironte shumë të bënte letërsinë e udhëtimit. Nga i vinte i gjithë ky angazhim dhe kjo qasje?
“Udhëtimi ishte një nga hobitë më të mëdha që ne kemi pasur në familje. Jo vetëm Betimi dhe unë, por edhe fëmijët tanë janë udhëtarë të palodhur. Qasja ndaj udhëtimit, dhe në përgjithësi njohjes së botës i vinte si dëshirë dhe domosdoshmëri e njohjes së njerëzve në të gjithë kompleksitetin dhe veçantinë e kulturave të tyre. Unë me Betimin kemi marrë shpesh njeri tjetrin me vete në udhëtimet reciproke për arsye të punës, pa folur për udhëtime të pafund sëbashku dhe me miqtë tanë. Megjithatë unë dua ta theksoj se Betimi përpara se të ishte një udhëtar i madh i botës njihte çdo cep të Shqipërisë, mal më mal, e fshat më fshat. Kjo i vinte nga mundësia qe i kish krijuar angazhimi në fushat e shkencave të tokës që ai aplikoi si dhe punët e udhëtimet e përbashkëta me koleget e tij të dashur gjeologe, gjeofizikantë, inxhinierë ndërtimi, ambientalistë e arkeologë. Po ashtu janë të paharruara udhëtimet që kemi bërë në Shqipëri dhe në botë me miqtë tanë poetë e artistë, Mevlan Shanaj dhe Natasha Lako, me Agron Çobanin e Alfons Gurashin si dhe shumë udhëtime të tjera që Betimi ka kryer me kolegë të tij shkrimtarë e poetë. Plani i tij i fundit ishte të shkonte dhe të mbyllej për dy muaj në Key West, aty ku punoi dhe jetoi për kaq kohë Hemingway, dhe të shkruante një roman tjetër që kish në kokë. I pëlqente shumë bukuria dhe mëvetësia e atij rripi toke në skajin më jugor të Amerikës së veriut. Por nuk arriti, dhe frika e tij se nuk do ti dilte koha u vërtetua”.

Cilët ishin ndikimet e tij më të mëdha artistike, sipas jush, dhe a mendoni se Amerika ishte një hapje e madhe frymëmarrje për shpirtin e tij artistik?
“Betimi nuk kishte fetishe në jetën e vet. Ai e donte të bukurën kudo që të ishte e nga do që ajo të vinte, nga një perëndim i rrallë në Washington, nga një lule e bukur e egër ne qafën e Muzinës, nga një erë e marrë ndanë oqeanit në Vinja del Mar në Kili, nga një libër i shkruar nga një poet i madh e i mikluar nga mbarë bota, apo nga një poezi e vogël e shkruar nga një mësues i thjeshtë në një fshat të Manzës. Talenti dhe mendimi i thellë, ishin të vetmet që e emociononin. Unë e kam parë shpesh të gëzojë dhe entuziazmohet nga një vepër e Fitzeraldit apo një vjershë e Rilkes, një tregim i Munrosë, një libër i Mishimës apo një varg i Adonisit a Ahmatovës. E kam parë të përulet me respekt përpara përsosurisë gjuhësore të Nabokovit apo thellësisë së mendimit të Xhojsit. Dhe kjo po njëlloj me poetët dhe shkrimtarët shqiptarë. Nuk kishte struktura dhe modele që ndiqte. Vetëm talenti dhe cilësia e bënte të përulej përpara një letërsie të mirë dhe ishte i hapur të pohonte në se nuk e pëlqente një gjë të shkruar edhe nga një emër i famshëm. Ai kishte integritet të madh në vlerësim dhe ishte e vështirë ti tërhiqje vëmendjen. Por ishte edhe kritiku më i madh i veprës së tij. Nuk ishte kurrë i kënaqur nga ajo që bënte dhe donte të shkonte më tej në hulumtimet e tij. E ka shprehur këtë në disa poezi.
Është e pamohueshme se Amerika i dha një dimension krejt tjetër. Jo vetem aksesi i pamatë në libraritë më të mira të botës, në Librarinë e Kongresit, ku gjenden dhe shumica e 25 librave të tij, dhe në gjithë sistemin e tregtimit të librit, por edhe aksesi te një numër i pafund kulturash dhe njerëzish të talentuar nga gjithë bota që vijnë aty. Amerika u bë atdheu i tij i dytë që ai e donte me gjithë shpirt dhe që bujarisht jo vetëm i hapi dyert por edhe i dha material të bollshëm për të shkruar e përkthyer ato që donte. Libri i tij i fundit me tregime “Qiej që bien” ( EPH, 2014) është një shprehje e qartë e faktit se Betimi doli nga kuadri i ngushtë nacional në botën e madhe pa kufij të caktuar. Subjektet e tij janë qytetarë të botës dhe ndodhitë e përshkruara në këtë vëllim kapërcejnë ndjenjën e ngushtë të shkrimtarit që vjen nga një vend i vogël. Horizonti që ngërthen vëllimi kalon kufijtë specifike nacionale dhe shpesh nuk është e qartë se ku ndodh ngjarja, ajo mund të jetë në Amerikë, në Gjermani, në Marok apo në Shqipëri. Ai merret me luftën e brendshme të njeriut dhe të jashtëzakonshmen që sjell shpirti njerëzor në letërsi.
Amerika për Betimin u bë një kopsht i begatë për të kërkuar dhe eksperimentuar si në shkencë edhe në letërsi. Me mirëseardhjen e saj të ngrohtë për gjithë talentet Amerika ishte një influencë e madhe në jetën e Betimit që megjithëse nuk ndryshoi thelbin e tij njerëzor e pasuroi atë dhe i dha krahë të eksplorojë në ujëra të reja”.

Sa do mundeni që veprën e tij ta vini edhe më shumë në funksion të kulturës kombëtare, me këtë kuptojmë përcjelljen në shkolla dhe më gjerë?
“Kjo është një detyrë e madhe. Por të them të vërtetën sado të përpiqem unë apo miqtë e tij kjo mbetet detyrë e institucioneve shqiptare. Ndoqa me kënaqësi një shkrim të Gentian Çoçolit për librat e harruar që merrej me Antologjinë e Poezisë së Shekullit të XX-të të Betimit. Unë do të gjeja me vend që vepra të tilla si të dy antologjitë e tij, të poezisë dhe tregimit, të shpërndaheshin si materiale suplementare për studentët dhe dashamirët e letërsisë. Ato janë burim sistematik njohurish për letërsinë e botës dhe prezantojnë publikun shqiptar me një numër të madh shkrimtarësh, dhe pra kulturash të ndryshme. Vetëm antologjia me poezi ka mbi 130 autorë nga gjithë bota. Por poezia është një zhanër jo i lehtë për tu përhapur e lexuar. Ajo që më shtyn mua më shumë ta mendoj si të mundshme për tu shpërndarë në mënyrë te organizuar është letërsia për fëmije, vjershat e Betimit që qarkullojnë kudo nëpër internet, dhe sidomos përrallat që ka shkruar Betimi. Unë personalisht do të vazhdoj të punoj për ribotime dhe shpërndarje të tyre dhe do të mirëpres çdo kërkesë për të ribotuar veprën e Betimit”.

Çfarë do të donit të bënit bashkë sot?
“Kjo është një pyetje shumë emocionale dhe e vështirë për mua. Sot do doja të gjithën, do të doja të filloja një jetë të re nga fillimi me të… por kjo është e pamundur. Çfarë nuk do të jepja të më mbante edhe një herë në krahë dhe të më thoshte me një zë të butë në rrëzë të veshit ashtu siç dinte vetëm ai: O Mu…ku do ikim sot?”.

(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: