Gazetari dhe analisti Arion Sulo i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 ka folur në lidhje me aksionin e IKMT-së te Prestige Resort teka ka thënë se nuk ka pasur asnjë dokument apo njoftim zyrtar në lidhje me këtë sulm të nisur ditën e djeshme.

Sulo deklaroi se ky autoritet ka kryer një sërë veprimesh të jashtëligjshme ndër të cilat theksoi rrethimin e zonës nga policia, nxjerrjen e njerëzve pa njoftim dhe shpimet për vendosjen e tritolit në godinën e hotelit.

Ai tha më tej se është e qartë që është një urdhër politike për ta shembur para se të shkojë në gjyq sepse gjykata në këtë sistem drejtësie që vuan varësinë nga drejtësia, ndërsa shtoi se në këtë rast nuk ka as vendime e as akte dhe se është e qartë që është një urdhër politik për shembjen e resortit para se të shkojë në gjykatë.

“Kjo histori e mos gjykimit të çështjes vijon që nga dje ku juristët e grupit Prestige Resort nuk kishin një dokument apo njoftim zyrtar për çka po ndodhte. Nëse do ishte e mundur që dje të kishim një operacion të shpejtë nga forcat e IKMT, ajo me zellin e treguar nga IKMT resorti do ishte shembur që dje. Sot që flasim që kanë kaluar thuajse 48 orë ata akoma nuk kanë nxjerrë një shkresë për tu paraqitur në gjykatë për tu paditur. Të marrim rastin sikur Prestige nuk ka të drejtë, shkon policia rrethon zonën, nxjerr njerëzit pa njoftim, bën shpimet për tritolin, pra janë një sërë veprimesh që në vetvete kërkojnë vendim dhe dokumentacion. Do mjaftonte një njoftim zyrtar, të funksiononte burokracia më ordinere për të ditur se çfarë po ndodh me pronën. Kjo quhet siguri juridike, pra në shtëpinë e secilit mund të mësyjë policia e ushtria të urdhëruar politikisht nga shteti, kjo quhet siguri juridike. Biznesi këtë e ka të shenjtë, siguria juridike është ajo për të cilën vuajmë këtu e 30 vjet. Mbrojtja e bizneseve dhe pronave ka qenë një nga plagët kryesore që kanë sjellë dhe mungesën e investitorëve të mëdhenj në vend. Kryeministri me mekanizmin e vet, me lodrën e vetë IKMT, do shembë godinën e resortit për të mos u përballur në gjykatë. Paligjshmëria këtu është më e pakta. Ligji thotë që duhet të kesh 10 ditë kohë të njihesh për aktet e IKMT-së, çdo qytetar ka 10 ditë për këtë dhe 10 ditë të tjera për të shkuar në gjykatë, kjo është një paligjshmëri e kërkuar për ta vënë gjendjen para faktit të kryer. Të hënën me gjithë sorollatjet e qëllimshme për të mos vepruar sipas ligjeve, me shumë mundësi hoteli do jetë shembur dhe gjykata nuk do ketë çfarë të hetojë dhe do kemi një shembje pa gjyq.

Në këtë rast nuk ka as vendime e as akte, është e qartë që është një urdhër politike për ta shembur para se të shkojë në gjyq sepse gjykata në këtë sistem drejtësie që vuan varësinë nga drejtësia, gjykata është e detyruar të zbatojë minimumin e ligjit që është të shikojë letrat dhe ndërron historia. Çështja është të mos hapen letrat. Është e njëjta gjë si në shtator me pishinat, nuk u dha mundësia për të shkuar në gjykatë. Dje një herë prishej një pjesë e verandave, pastaj restorantit, sot e njëjta gjë, sepse janë urdhra të dhënë në paligjshmëri që krijojnë panik. Të ndodhur ditëzinj në presionin e urdhrave politikë, ngatërrohen me këmbët e tyre, njëherë shkojnë te fadroma, njëherë te shpimet. Dje nuk është lënë kohë as për të marrë pajisjet e hotelit dhe sendet personale. Duke qenë një urdhër politik për ta shembur është një pasojë që e vuajnë qytetarët dhe biznesi.

Për zonjën Bici dhe veprimet e saj janë bërë të tërë mekanizma në dorë të kësaj qeverie dhe këtij kryeministri. Ndodh që zonja në fjalë ka firmosur një dokument të këtij shteti në prill të 2017-ës ky shqetësimit të një operatori tjetër për lejen e ndërtimit të shoqërisë që po ndërtonte godinën e hotelit Prestige Resort i përgjigjet që objekti është me fjalë dhe e ka firmosur. Se çfarë zyrtarësh kemi të bëjmë, se çfarë integriteti kanë mjafton që të themi vetëm këtë, në një moment thotë që godina është me leje, dhe sot është në krye të operacionit për të shembur godinën si pa leje. Çdo urdhër për pasojë është urdhër i jashtëligjshëm. Zonja në fjalë ndodhet në vështirësi të madhe, prandaj mbetet në ndërgjegjen e secilit për të parë ligjshmërinë e vendimeve që marrin. Edhe për këtë shembje ajo do firmosë, problem është se shkresat do bëhen pasi të shembet godina.

Nuk është vetëm çështja e AGON Channel, ka disa kompani që e kanë çuar Shqipërinë në arbitrazh për kontrata të prishura. Kjo çështje besoj se do shkojë në gjyq dhe në gjykatë ndërkombëtare pasi shkeljet janë flagrante. Shqiptarët po paguajnë duke ikur e duke mos votuar. Në 2021-shin kanë ikur 33 mijë shqiptarë, kjo shifër është mbi 1%, ndërsa ky vit parashikohet më i keq. Ne po shuhemi me ritme të shpejta, shqiptarët po ikin sipas fondacioneve të huaja për arsye ekonomike. Ikja e tyre është në favor të kësaj qeverie. Shqiptarët po paguajnë me të ardhmen e fëmijëve, folëm për sigurinë juridike, liritë e biznesit dhe medias. Kjo është të paguash shtrenjtë, por  po bëhet më keq. Në Shqipëri për shumë vite kemi pasur liri të medias por jo pavarësi të saj. Kohët e fundit jemi në fazën ku edhe liria po shuhet me ritme të shpejta, sepse këtu flasim për News24, një grup i madh mediatik e profesional. Nëse ti cenon lirinë e grupeve të mëdha, portalet mund të shkruajnë çfarë të duan, nëse ti heq lirinë për grupet e mëdha kjo është mungesë e lirisë së medias. Rrezikojmë që ne nuk jemi një vend me demokraci funksionale, lajmi i ri është që kemi bërë hapa prapa në lirinë e medias sipas raporteve ndërkombëtare. Nuk kemi qenë asnjëherë demokraci e plotë funksionale, kemi qenë një regjim hibrid me zgjedhje jo të lira e të ndershme” tha Sulo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb