Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një komunikim për mediat theksoi se qeveria Rama po mbjell kudo një ndjenjë pasigurie dhe se po nxit konflikte.

Gjithashtu theksoi se qeveria grabitqare e “Rilindjes” ka zhvlerësuar pronat e ligjshme të qytetarëve dhe ka fryrë artificialisht kostot e investimeve publike sepse prioriteti i saj është vetëm korrupsioni.

Deklarata e plotë:

Shkatërrimi kriminal i banesave, sekuestrimet, zaptimet, dhunimi dhe vjedhjet shtetërore të pronave të ligjshme të qytetarëve dhe bizneseve, në shkelje të hapur të Kushtetutës, të çdo ligji dhe procedure, pa transparencë dhe nëpërmjet terrorit policor janë kthyer tashmë në filozofinë fashiste të kësaj Qeverie grabitqare dhe arrogante, që po mbjell ngado një ndjenjë të lartë pasigurie duke nxitur konflikte sociale të panevojshme dhe vënë në rrezik jetën e dhjetëra banorëve që janë të vendosur të mbrojnë me çdo çmim pasuritë e tyre legjitime!

Hedhja në rrugë të madhe e fëmijëve, të moshuarve, burrave dhe grave, që e kemi parë jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë, është një nga krimet më të shëmtuara të Edi Ramës, i provuar tanimë qartësisht si armiku më i egër i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve.

Rasti më i freskët është avancimi në mënyrë antikushtetuese dhe të dhunshme, të projektit Thumanë-Kashar, që do të shoqërohet me një proces shkatërrimi për pronat e ligjshme të qytetarëve të Bërxullës.

Qeveria grabitqare e “Rilindjes” ka zhvlerësuar pronat e ligjshme të qytetarëve dhe ka fryrë artificialisht kostot e investimeve publike sepse prioriteti i saj është vetëm korrupsioni.

Partia e Lirisë, duke shprehur solidaritetin e plotë me këta banorë, që prej muaj protestojnë në mbrojtje të së drejtës dhe shenjtërisë së pronave në tyre, i bën thirrje Qeverisë të tërhiqet menjëherë nga çdo përpjekje kokëfortë dhe procedurë antikushtetuese, që synon shkatërrimin me dhunë të pronave private të qytetarëve, por të garantojë një zgjidhje të drejtë dhe objektive siç Kushtetuta e parashikon, me transparencë, konsultime dhe mjete demokratike!

Partia e Lirisë vlerëson me objektivitet kërkesat e drejta të këtyre banorëve dhe mbështesim plotësisht shqetësimin shumë të madh të tyre se Qeveria po planifikon t’u shkatërrojë pronat me forcë dhe presion, duke u premtuar në ajër kompensime të padrejta dhe qesharake financiare.

Shkatërrimi i paligjshëm i pronave të qytetarëve në mënyrë flagrante dhe klienteliste për të favorizuar interesat mafioze të Edi Ramës dhe Qeverisë së tij tashmë është damkosur edhe me vendime gjykatash, të cilat i kanë cilësuar të padrejta shumë aksione të Inspektoriatit famëkeq të Mbrojtjes së Territorit.

Keqpërdorimi i IKMT si kamzhik ndëshkues, si mjet shantazhi dhe gjobvënie i Edi Ramës ndaj qytetarëve më të pambrojtur është tregues i arbitraritetit, paligjshmërisë dhe korrupsionit shumë të madh të bandës së “Rilindjes”. Duke mbjellë pasiguri dhe frikë nëpërmjet dhunës, shkatërrimit, nënshtrimit dhe shpopullimit, “Rilindja” kërkon të qeverisë jo përmes ligjit, por si bandë politike. Ndaj 14 Maji dita më e afërt e ndëshkimit kundër arrogancës, korrupsionit dhe dhunimit të pronave të shqiptarëve nga banda në pushtet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb