VLORE -Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vijon punën për shembjen e banesave në lagjen “Kushtrimi” në qytetin e Vlorës, ku është parashikuar projekti i rrugës “Transballkanike”, që do të lidhë autostradën Levan-Fier me Vlorën. Disa prej qytetarëve nuk kanë pranuar të lirojnë banesat, pasi të marrin dëmshpërblimin. Enver Mezani thotë se ende nuk ka marrë asnjë lek për pronën e tij, dhe për këtë arsye është ngujuar në shtëpi, duke bllokuar punën e fadromave të IKMT-së.
Sipas IKMT-së, puna ka nisur mëngjesin e të hënës për t’u mbyllur në momentin që do të lirohen të gjitha hapësirat publike, në kuadër të projektit në fjalë. IKMT thekson se puna po vijon me intensitet të lartë, pasi qeveria ka objektiv kryesor që sezoni turistik të mos e gjejë Vlorën me trafikun tmerrshëm të çdo viti.

SHEMBJA E BANESAVE NE VLORE, NGUJOHET E MOSHUARA
Mëngjesin e djeshëm, IKMT ka nisur aksionin për shembjen e banesave në lagjen “Kushtrimi”. E ndërsa pritej që të prisheshin vetëm banesat e familjeve që ishin shpronësuar, fadromat e ndërtimorëve kanë vijuar aksionin në të gjithë lagjen. Vetëm dje janë shembur 30 banesa, ndërsa do të prishen dhe 107 të tjera. Mësohet se aksioni ka kapur në befasi disa familje, të cilët janë detyruar që të shpejtonin për heqjen e orendive dhe plaçkave. Banorët që figuronin në VKM-në e parë dhe dispononin certifikatat e pronësisë, u shprehën se nuk kanë marrë asnjë lek deri tani, edhe pse sipas bashkisë fondi ka mbërritur. Të indinjuar, ata pohuan se u prenë në besë nga politikanët.
“Çfarë do bëjmë ne me ato dy vjet qira dhe ku do ta fusim kokën?! Shteti na braktisi, politikanët na gënjyen. Na shuan si lagje. Projekti i parë kalonte mbi kanal e në rrugë dhe prekte vetëm pak familje. Ndërsa projekti i ri është
bërë për interesa”, – tha njëri prej banorëve. Ndërkohë, nuk kanë munguar herë pas here tensionimet e situatës mes banorëve dhe INUK-ut. Ndërsa, policia ka shoqëruar dhe një prej banorëve. Dje, një grua e moshuar që banon në lagjen “Kushtrimi” është ngujuar dhe nuk ka pranuar të dalë nga banesa e saj. Bëhet fjalë për Ademe Hysenin. Rreth orës 14:00, kur mjetet e rënda i janë afruar banesës, ajo ka nisur të qëllojë me gurë efektivët e INUK-ut. Gruaja ka refuzuar të dalë nga shtëpia me pretendimin se nuk ka ku të shkojë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: