Legjenda e kinematografisë italiane Gina Lollobrigida ka deklaruar se do të kandidojë në zgjedhjet e përgjithshme për Parlamentin në Itali, pavarësisht se është në moshën 95-vjeçare.

Një nga figurat ikonike të kinematografisë italiane, Gina ka shpallur kandidaturën e saj për senatore me partinë ISP në zgjedhjet e ardhshme, duke deklaruar se është lodhur nga grindjet e politikanëve.

ISP është një aleancë e re politike euroskeptike kundër Mario Dragit dhe kundërshton dërgimin e armëve në Ukrainë dhe Atlanticizmin e shkatërruar nga lufta.

Megjithatë, nuk është hera e parë që Gina Lollombrigida  tenton të merret me politikë, pasi në vitin 1999 mori pjesë në zgjedhjet evropiane si kandidate e demokratëve të Prodit.

Në një intervistë për Corriere della Sera, Gina tha se ishte frymëzuar nga Mahatma Gandhi dhe “nga mënyra se si ai i bënte gjërat, duke mos përdorur dhunë”.

Ajo gjithashtu shtoi se ka qenë një mike e ngushtë e kryeministres së parë femër të Indisë, Indira Gandi.

“E shihja sa herë që vinte në Romë. Ajo ishte një grua e jashtëzakonshme”, tha Gina Lollobrigida për Indira Gandin.

“Isha dhe jam e vendosur të mbetem kreative dhe tani dua ta përdor një pjesë të kësaj energjie për gjëra të rëndësishme, veçanërisht për vendin tim”, nënvizoi aktorja 95-vjeçare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb