Një nga ikonat legjendare të filmit dhe ekranit. Kështu e cilëson gazetari Sokol Balla aktorin Guljelm Radoja, i cili u shua sot për shkak të COVID-19 në moshën 75-vjeçare, duke lënë pas një dhimbje të madhe për të afërmit, miqtë, por dhe publikun që e donte.

Parathënia e emisionit “Real Story” në News24, iu kushtuar pikërisht artistit të madh, për të cilin Balla tha se ndërroi jetë tragjikisht sot më 5 maj, si dëshmori i fundit në luftën me armiku ne padukshëm.

“Arti, kultura, kinematografia dhe memoria kolektive e shqiptarëve ka humbur sot një nga ikonat legjendare të filmit dhe ekranit. Guljelm Radoja, artist i merituar dhe njeriu që ka bërë të qajë miliona shqiptarë me rolet e tij, është ndarë sot nga jeta në moshën 75-vjeçare. Ky artist i madh që më shumë sesa me fjalët fliste me trishtimin shekspirian të syve të tij nuk i rezistoi dot flamës së keqe të koronavirusit. Pas disa javësh rezistencë, edhe ai si miliona të tjerë, u përkeqësua ditët e fundit kur u duk se po e kalonte lumin e rrezikshëm që ndan jetën që kur lind, nga vdekja. Ai erdhi i intubuar mbrëmë tek ‘Shefqet Ndroqi’ dhe sot, në 5 maj ndërroi jetë, tragjikisht në Ditën e Dëshmorëve, si dëshmori i fundit në luftën me armikun e padukshëm”, tha Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb