Inspektorja e lartë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Evgjeni Bashari paraqiti sot raportin vjetor për vitin 2022 në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Bashari bëri të ditur se, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, gjatë vitit 2022, ka aplikuar gjithsej 128 sanksione, masë administrative me “gjobë”, për mosdeklarim të interesave private, konfliktit të interesave, si dhe për shkelje të ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”.

Bashari deklaroi se ILDKPKI përgjatë vitit 2022 ka vijuar mbështetjen e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke bashkëpunuar me organet e rivlerësimit në adresimin e kërkesave për vënie në dispozicion të dokumentacioneve për subjektet që po i nënshtrohen këtij procesi. “Konkretisht, gjatë kësaj periudhe janë trajtuar në total 63 kërkesa për dhënien e informacionit dhe dokumentacionit, brenda afateve të përcaktuara nga këto organe, si dhe 1 kërkesë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit”, bëri të ditur Bashari.

Gjithashtu, tha ajo, Inspektorati i Lartë në përmbushje të detyrimeve ligjore, si dhe rekomandimit të Kuvendit të Shqipërisë për të pasur prioritet të punës verifikimin e kandidatëve në organet e ndryshme të sistemit të drejtësisë, ka vijuar edhe përgjatë periudhës raportuese ushtrimin e kontrolleve të deklaratave të pasurisë për kandidatët në institucionet e sistemit të drejtësisë. “U morën të gjitha masat e nevojshme për të përfunduar në një kohë sa më të shkurtër verifikimet për 264 kandidatë për përfundimin e kontrollit të plotë për kandidatë për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit, Magjistratë, etj.

Sipas Basharit, Inspektorati i Lartë mori të gjitha masat institucionale për funksionimin e plotë të sistemit elektronik të deklarimit të interesave private , ku në zbatim të dispozitave ligjore, si dhe dhe në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Evropës, hartoi dhe miratoi aktet e nevojshme nënligjore dhe formularët e deklarimit për sistemin elektronik. “Inspektorati i Lartë, në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Evropës, gjatë periudhës raportuese zhvilloi aktivitete trajnuese për Autoritetet Përgjegjëse pranë institucioneve publike, ku u trajnuan mbi 310 përfaqësues të autoriteteve përgjegjëse, si dhe u garantua asistencë për më shumë se 2000 subjekte deklaruese”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: