Drejtuesi i ri politik i PS-së në Shkodër, Ilir Beqaj nuk ka humbur kohë por ka nisur nga puna me strukturat atje për zgjedhjet parlamentare të 2021.

Siç raporton për “BalkanWeb”, gazetari Senad Nikshiqi sot mësohet se Beqaj ka zhvilluar një mbledhje prezantuese në Shkodër, ku ka vendosur prioritetet e punës atje si dhe i është përgjigjur shqetësimeve. Ai ka folur edhe për menyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë si dhe për ndryshimet në qeveri. Po nga Shkodra ai nuk ka rezistuar pa sulmuar edhe paraardhësin e tij, Ditmir Bushatin.

Beqaj tha se prej momentin kur Bushati u shkarkua nga detyra e kryediplomatit e ka braktisur detyrën e caktuar në Shkodër si drejtues politik i Qarkut.

“Bushati ka 14 muaj që e ka lënë Partinë Socialistë në Shkodër dhe nuk mund të themi si e la ai Partinë Socialiste këtu”, deklaroi Ilir Beqaj në një takim me strukturat e partisë në qytetin veri-perëndimor.

Kreu i ri politik i socialistëve në këtë qytet nuk e la me kaq. Ai paralajmëroi gjithashtu se emri i Bushatit mund të mos jetë pjesë e kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm.

“Zoti Bushati është deputet, por nuk e vendosim ne nëse është apo jo në Shkodër. Aktualisht ai nuk ndodhet as në Tiranë dhe as në Shkodër”, tha Beqaj.

Sipas Beqajt, “Mbledhja e parë është formale, prezantuese edhe pse njihem prej vitesh. Për mua është privilegj që kthehem në Shkodër. Fillimisht puna jonë do përqendrohet në gjithë qarkun për zgjedhjet parlamentare. Kemi një boshllëk një vjeçar në punën e partisë dhe duhet të punojmë shumë.

Zgjedhjet lokale janë çështje që i di Presidenti, po zgjedhjet një ditë do të bëhen.

Sigurisht që jam i vetëdijshëm për problemet e partisë dhe drejtorëve. Drejtorët nuk janë një punë e imja por do shohim se si kanë punuar sepse kur vjen puna për legalizime ose funksione të tjera nuk ka të majtë e te djathte.

E kam pranuar me dëshirë propozimin e kryeministrit sepse në Shkodër e kam filluar politikën aktive. Në marrëdhëniet me kryeministrin kam një marrëdhënie sy më sy që zgjat shumë pak vendimmarrja”,- tha ai.

Sa për drejtoritë e zhvendosura nga Shkodra në Lezhë, Beqaj u shpreh: “Besoj se kjo është një temë e gjatë dhe do të dojë më shumë kohë për të kuptuar konceptin e rajoneve. Duhet të jemi të vetëdijshëm që pasi krijohen drejtoritë e rajoneve që kanë tre qarqe nuk është normale që të gjitha drejtoritë të jenë në një qark edhe pse Shkodra ka rrezatuar në gjithë Shqipërinë. Nëse vendosim peshore farmacie se a duhet të jetë arsimi apo ndonjë tjetër është një çështje tjetër. Opinioni shkodran është i ngarkuar me këtë gjë dhe duhet të punojmë shumë më tepër. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore apo edhe shërbime të tjera të mos krijojnë barriera për qytetaret”,- u shpreh socialisti.

Sa për kandidatet për deputet në Shkodër, drejtuesi politik i qarkut tha se do të merret me të gjithë.

“Në ketë fazë jemi shpejt për të kaluar tek kandidaturat. Kemi një ndryshim me opozitën sepse bërthamën e parë e kemi nga deputetët ekzistues. Duhet të shohim se cila pjesë e listës do jetë e hapur dhe cila jo”.

Ai foli edhe për ndryshimet në qeveri, duke shtuar se kjo, “Është e drejtë e kryeministrit dhe 7 muaj para zgjedhjeve nuk është e lehtë të bëhen”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb