Tri fitore radhazi, dy në kupë dhe një në kampionat, kanë qetësuar ujërat te Partizani dhe tani në kampin e kuq kërkojnë vazhdimësinë për ndeshjen e radhës ndaj Laçit, që gjithashtu vjen në këtë sfidë pas një ecurie shumë të mirë në javët e fundit.

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, pranon se psikologjikisht skuadra është më mirë dhe tani kërkohet të vazhdojnë me ritëm fitoresh.

Aspekti psikologjik – “Janë ditë që rikuperojnë dhe energjitë, por që shkarkojnë edhe nga ana psikologjike nga problemet që kemi pasur. Ndonjëherë nuk shërbejnë sepse një kontingjent luan me U-21 dhe grupi nuk është se ka qenë i plotësuar.

Kanë qenë dy javë që na kanë shërbyer për të vazhduar me entuziazëm, sepse në këtë periudhë kemi qenë mirë edhe psikologjikisht, ekipi ka reaguar edhe në aspektin psikologjik. Ka qenë një fazë dy javore për të bërë një stërvitje normale dhe me entuziazëm.”

Laçi – “Laçi vjen me një anë psikologjike të mirë sepse në tre ndeshjet e fundit ka mare tre fitore në kampionat. Mendoj se kanë bërë mirë, po të shohësh golat e shënuar dhe golat e pësuar edhe pse diferencën e kemi njësoj, por kanë shënuar më tepër sesa ne.

Kanë probleme në fazën e mbrojtjes sepse kanë pësuar më shumë sesa ne. Të dyja skuadrat janë ekipe rivale, edhe në kampionatin e kaluar ku Laçi ka qenë rival për pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit ka qenë deri në javët e fundit pretendent.”

Vazhdimësia – “Kemi një vazhdimësi pas fitores që kemi marrë në kampionat, sepse në fund vazhdimësia do të na bëjë që të pozicionohemi në tabelën e klasifikimit aty ku ka objektivat klubi.”

Dëmtimet – “Cara ishte me stërvitje të diferencuar dhe nuk ishte me intensitete maksimale. Ky është problem i sqaruar, por e kam problemin tek vetë individi për tu përballur me stafin e ekipit Kombëtar sepse nuk ka qenë në 100%, por me këto dy javë dhe me stërvitjet e diferencuara, por brenda grupit dhe e ka kaluar dëmtimin.

Kaçe po rikuperon fizikisht, por nuk është në gjendjen më të mirë fizike. Këtë e kemi parë dhe me ndeshjen ndaj Besëlidhjes në Kupë dhe në miqësoren javën e kaluar. Një gjendje e mirë e Kaçes do të thotë një vlerë e shtuar e ekipit.

E kemi të plotë kontingjentin përveç atyre që dihen se dhe janë dëmtime që kërkojnë kohë si Kardozo, Damçevski edhe të tjerë. Kemi rikuperuar me aq sa mundemi me këto lojtarë që përmenda, nesër kemi një kontingjent të mjaftueshëm për të përballuar ndeshjen.

Alban Hoxha ka të njëjtën situatë si e Carës. Albani ka një frakturë në gishtin e dorës, dhe nuk ka qenë prezent në anën teknike të stërvitjes dhe dje ka filluar të preki topin me duar sepse e ka pasur të ndaluar nga stafi mjekësor. Problemi i Albanit do të ndiqet me kujdes nga stafi mjekësor dhe në momentin që do të jetë i gatshëm për të luajtur do të hyjë sepse është dhe kapiteni i ekipit dhe mungesa e tij peshon.

Teqja ka bërë shumë mirë dua ta citoj që e ka mbajtur portën së bashku me fazën mbrojtëse me 0 gola. Eksperienca dhe pozicioni i kapitenit duhet të afër grupit dhe jo vetëm në stërvitje dhe në ndeshje.

Maget është dëmtuar në minutën e dhjetë në ndeshjen me Egnatian dhe ka një tërheqje në muskujt e barkut dhe të shpinës. Mungesa e tij do të jetë prezentë me një ose dy ndeshje, është një lojtar i talentuar dhe premtues dhe aty ku kemi mungesat në pjesën e sipërme besoj se që ndihma e tij do të na vlente.”

Stadiumi – Nëse flasim për një ndeshje të Kupës që zhvillohet me dy data, duhet të vazhdojmë me dy data të ndeshjeve të kampionatit sepse shoh një diferencim dhe kjo në dëm të Partizanit. Stadiumi është më i mirë në Shqipëri, gjithashtu edhe ai i Elbasanit dhe ai i Shkodrës janë në nivele shumë të mira, por ‘AIR Albania’ është më i veçantë.

Përveç se të krijon komoditet është fakti që ne presim tifozët që janë lojtari ynë i 12. Lëvizja në qytetet e tjera me orën policore do të kishte shumë pak tifozë, shpresojmë që nesër të kemi mbështetjen e tyre.”

Mbrojtja dhe pësimi i golave – “Kemi dhe tre javët e fundit duke përfshirë dhe Kupën që nuk pësojmë gol, por Partizani futet në çdo ndeshje për ta fituar sfidën dhe ky është objektivi ynë parësor. Përveçse duhet të mbrojmë, por duhet edhe të mos pësojmë, ekipi duhet të ketë diçka ndryshe sepse kur shënon i pari ekipi ka një gjendje psikologjike më të mirë dhe mundet që të lehtësosh lojën.

Në stërvitje duket një entuziazëm dhe një gjendje e mirë psikologjike dhe kjo duhet të jetë në vazhdim. Kur themi që ndeshjet i marrim hap pas hapi kemi problemin e Laçit, nuk kishim ndonjë preferencë në derbin e Kupës sepse ata që janë në çerekfinale të Kupës do të thotë që e kanë merituar.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb