Na ndajnë edhe 5 ditë nga derbi i kryeqytetit. Përgatitjet vijojnë me intensitet në të dy kampet. Por te Partizani e sotmja nuk ishte një ditë e zakonshme, pasi trajneri Ilir Daja feston 55-vjetorin e lindjes.

Nuk munguan urimet për teknikun kryeqytetas, i cili u pohoi futbollistëve dhe stafit që dhuratën e këtij përvjetori ta marrë pikërisht në derbi me një fitore. Kjo do të ishte edhe pika e kthesës për Partizanin, që në pesë javë ka grumbulluar vetëm 4 pikë, shumë pak nisur me pretendimet që ka klubi.

Ndërkohë, në kampin e kuq ka një lajm të mirë dhe një të keq. I miri për Dajën është se Dajan Shehi ka lënë pas dëmtimin e tij dhe është stërvitur me grupin, duke lënë të kuptohet se është gati për sfidën kundër Tiranës.

Shehi pritet të luajë titullar në mbrojtjen e Partizanit, në krah të Belicës dhe Sotës, me Partizanin që vështirë të heqë dorë nga mbrojtja me pesë. Lajmi i keq vjen në sulm, aty ku “demat” do të kenë një alternativë më pak.

Sulmuesi brazilian, Lukas Kardozo pësoi një dëmtim në shpatull në sfidën kundër Kukësit dhe e kishte të pamundur për të vazhduar, duke u zëvendësuar pas vetëm 14 minutash lojë. Mësohet se braziliani ka nxjerrë shpatullën dhe i duhet rreth 1 muaj rikuperim, çka do të thotë se i ka humbur sfidat e radhës për të kuqtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb