Dua ta nis këtë shkrim me një vërejte serioze për tenorët apo tellallët e qeverisë. Sa më shumë afrohet data e 2 marsit, kur Presidenti shpreson të shohë popull në rruge kundra qeverisë, aq më shumë kjo e fundit po i mëshon mesazhit se përçapja e Ilir Metës është e paparë, është skandaloze. Fatkeqësisht apo fatmirësisht, fenomene të tilla të një “lufte guerile” midis Presidentit dhe qeverisë ndodhin dhe gjëkundi në botë dhe ato tregojnë vitalitetin e demokracisë. Në një regjim totalitar, njëra palë do ta kish arrestuar, në mos ekzekutuar tjetrën. Kjo ndeshje midis dy kokave të një shteti është fenomen i njohur, variacionet i përkasin vetëm nivelit të agresivitetit verbal. Ky fenomen ka dhe emërtimin e tij në shkenca politike. Kohabitacion. Një fjalë që vjen nga frëngjishtja, pikërisht vendi ku ndodhi testi më domethënës i përplasjes se një Presidenti (Miterrand) me Kryeministrin e tij (Shirak). Sigurisht, në vendin e Molierit nuk përdoreshin sharjet apo fjalori bajat dhe as tregoheshin dhëmbët në kuptimin e parë të fjalës, por brutaliteti politik ishte po aq i pranishëm dhe karikatural. Mjafton të kujtosh se si në mbledhjet e NATO-s, Franca përfaqësohej me të dyja kokat e shtetit dhe secila me delegacion më vete, sikur të ishin delegacione të Tajvanit e të Kinës, që përfaqësonin të njëjtin komb në OKB.

Presidenti rumun si ai shqiptar

Në kohët më të vonshme, kulmi i tensionit “kohabitacionist” midis një Presidenti dhe qeverisë u arrit në Rumaninë e Presidentit Klaus Ioanis dy vjet më parë. Situata aktuale midis Ilir Metës dhe Edi Ramës mund të duket biles edhe si e moderuar me atë që njohu Rumania, vend, duhet theksuar, anëtar i Bashkimit Europian. Në këtë vend, i cili po merrte biles kryesinë e radhës së BE-së, Presidenti Ioanis mobilizoi popullin në rrugë kundra qeverisë së korruptuar, sipas tij, të Kryeministres Dancila. Të njëjtat shprehje si në Shqipëri, ku Ilir Meta bën thirrje të mbrohet Kushtetuta dhe vendi nga mafia në pushtet, të njëjtat thirrje në Rumani të nxitura nga Presidenti Ioanis mobilizuan me dhjetëra mijëra vetë në Bukuresht, në fillim të gushtit 2018. Ashtu si në Shqipëri, ku njëra palë, ajo e Presidentit Meta akuzon se është kapur Gjykata Kushtetuese, edhe në Rumani, Presidenti Klaus Ioanis akuzonte Gjykatën Kushtetuese si të kapur nga partia në pushtet. Biles ishte shkarkimi i Kryeprokurores antikorrupsion, Laura Kovesi, me miratimin e Gjykatës Kushtetuese rumune që hodhi popullin rumun në rrugë, sepse kjo Kryeprokurore po përgatitej të arrestonte anëtarë të korruptuar të qeverisë, si dhe vetë shefin e Partisë Socialdemokrate rumune në pushtet.

Është interesante të vërehet dhe reagimi i qeverisë rumune të asaj periudhe. Si në Shqipëri, ajo provoi të ndërmerrte një procedurë për shkarkimin e Presidentit. Strategji që nuk funksionoi sepse është e vështirë të shkarkosh një President në Rumani, ngaqë ndryshe nga Shqipëria, ai zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Por të gjitha armët u përdorën nga të dyja krahët. Edhe mjetet më të ulëta, më shokuese për një vend të BE-së. Kabineti i Kryeministres së Rumanisë shkoi deri aty, sa botoi një fotomontazh ku paraqitej Presidenti Ioanis me mustaqe e balluke si Adolf Hitleri. Një sulm veçanërisht i padenjë, kur dihet që Presidenti rumun është me prejardhje nga minoriteti gjerman i Rumanisë (rreth 30 mijë vetë). Qeveria shpresonte kështu të ndërsente ndjenjën nacionaliste kundra “gjermanëve” vendës, por qeveria s’bëri gjë tjetër veçse krijoi probleme diplomatike me vetë Gjermaninë dhe partnerët e tjerë evropianë. Në përfundim, ishte Klaus Ioanis që e fitoi këtë “betejë guerile” institucionale dhe në rrugë me qeverinë. Jo vetëm se partnerët europianë “u ftohën” me qeverinë rumune dhe e kërcënuan shpesh atë, por dhe se kjo e fundit, duke rënë në grackën e manifestimeve në rrugë të nxitura nga Presidenti rumun, humbi toruan dhe përdori dhunë të verbër që e hodhi opinionin publik në krahët e Presidentit. Pak muaj më vonë, Presidenti rumun organizoi në maj 2019 një referendum me pyetje radikale për rregulla të tjera lufte kundra korrupsionit. Këtë referéndum që qeveria u mundua deri në fund ta sabotonte, rumunët e votuan masivisht me mbi 80% të votave. Këtij suksesi deciziv, Presidenti rumun i shtoi më pas fitoren e tij personale për një mandat të dytë radhazi në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2019.

Ekuacioni i pamundshëm për Ilir Metën

Këtë happy-end në Rumani, Ilir Meta e ka të vështirë ta shpresojë për veten e tij në Shqipëri.  Dhe kjo, e pakta për tri arsye.

Së pari, Klaus Ioanis erdhi në pushtet si Presidenti i Rumanisë, më 2014-n, pa “biografi të keqe”. Ndryshe nga Ilir Meta që kishte ushtruar më parë pushtet në të gjitha hallkat e mundshme si ministër, Kryeministër, Kryetar Kuvendi dhe në koalicionet e njëpasnjëshme me dy partitë e mëdha të “honepsura” nga shqiptarët, Klaus Ioanis në Rumani kishte qenë vetëm kryebashkiak i një qyteti simpatik (Sibiu) me kulturë gjermane deri në shekullin IXX. Kur Meta bëhej President, si vazhdim i një sistemi, Ioanis e merrte këtë funksion të lartë për t’i dhënë fund një sistemi. Dhe pikërisht për këtë arsye rumunët e zgjodhën më 2014-n, si mishërim i  karakterit “gjerman”, i ndershëm, fjalëpakë, punëtor dhe rigoroz. Dhe fakti është se Ioanis, iu fut me buldozer sistemit të korruptuar partiak e qeveritar në Rumani, gjë që provokoi krizën me qeverinë më 2018-n. Ishte më kollaj me një reputacion si ajo e Presidentit rumun të mobilizosh mbi një qind mijë vetë në rrugët e Bukureshtit, se ç’do ta ketë Ilir Meta më 2 mars. Një komentues anonim në një të përditshme të Tiranës, shkruante kështu në fund të një shkrimi që botonte thirrjen e Metës: “Unë, më 2 mars, nuk dal në shesh qe të heq një diktator të gjatë me poture për ta zëvendësuar me një diktator të shkurtër”. Meta, si dhe të gjithë politikanët që kanë pasur poste ministrore në Shqipëri, kredibilitetin do ta kenë problem serioz e të përhershëm.

2- Arsyeja e dytë që kundërsulmi i Metës ka më pak gjasa të funksionojë, është se ndonëse i zgjedhur, atij i mungon legjitimiteti i zgjedhjes së drejtpërdrejtë nga populli. Partia që fiton zgjedhjet dhe ushtron mandatin ekzekutiv është në një farë mënyre po ajo parti që mundëson në formë lëmoshe dhe zgjedhjen e Presidentit në Kuvend, të cilin Kushtetuta e ka zhveshur nga kompetenca vitale. Është kjo dhe një nga arsyet përse Rama e sheh Metën si dikur Stalini Papën me atë ironinë e famshme: Vatikani, sa divizione ka?

3- E së fundmi, i mungon Metës, dhe në përgjithësi opozitës në Shqipëri, ai xhoker që Presidenti rumun, ndonëse dhe ai në “opozite”, e pati gjithnjë me vete: mbështetjen e perëndimorëve. Kjo është temë e gjatë, nëse perëndimorët nuk e ashpërsojnë më shumë tonin kundra “prapësive” të lidershipit të Ramës, sepse udhëhiqen nga Realpolitika rajonale, sipas parimit stabiliteti vlen më shumë se demokracia e kulluar, apo sepse edhe perëndimorët, si një shumicë e shqiptarëve, nuk shohin alternativë të bindshme ndaj Ramës në Shqipëri. Pak a shumë, si në atë thënien e Pitagorës, në një situatë të paqartë prefero status quo-në…

Si konkluzion, Presidenti Meta, në kushtet kur ky pushtet ka vendosur t’i shkojë deri në fund rrugës që ka nisur, të paktën deri në vitin e ardhshëm kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, duhet të ketë refleksin të na tregojë se çfarë do të bëjë ai dhe opozita, në rast se rivijnë në pushtet pas një viti. Të premtosh se do të zbatosh ligjet dhe Kushtetutën nuk mjaftuaka më. Pushteti aktual po dëshmon, sipas Metës, se kur ia do qejfi, ul prapanicën mbi ligjin themeltar të vendit. Çfarë ndryshimesh institucionale radikale propozon Presidenti Meta dhe opozita aleate e tij bashkë me të, që nesër çdolloj pushteti, qoftë ai i atyre vetë, të mos ta kenë më këtë mundësi autoritarizmi? Çfarë propozojnë Meta dhe të tijtë, për ta zëvendësuar këtë reformë në drejtësi të dështuar deri më sot, me një tjetër mekanizëm që do të sillte drejtësi për shqiptarët dhe moskapje pushteti nga pushteti i ardhshëm? Dhe më gjerë akoma, çfarë ndryshimesh propozojnë ata që zgjedhjet mos të vidhen, që ekonomia të jetë e begatshme dhe shqiptarët të mos dynden jashtë për një jetë më të mirë? Me pak fjalë, i mungon këtij Presidenti dhe  kësaj opozite që e mbështet atë një alternativë dhe më shumë akoma, një alternativë e bindshme, jo si reputacioni që i kanë farkëtuar ata vetes përgjatë viteve të shumta që kanë përfituar nga pushteti. Politikani matet nga rezultatet, është po aq e thjeshtë sa kaq…/panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: