FIER- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me strukturat e Lëvizjes së Gruas për Integrim të qarkut Fier. Gjatë bashkëbisedimit me të pranishmit u diskutua për përfshirjen e gruas në vendimmarrje dhe veçanërisht në fushën e sipërmarrjes dhe zhvillimit ekonomik të familjeve shqiptare.

Duke marrë fjalën, Kryetari Ilir Meta, teksa iu referua sloganit të LSI-së “një shans për të gjithë”, tha se t’i japësh një shans një gruaje do të thotë t’i japësh një shans gjithë familjes.

“Ne kemi një slogan që është thelbi i politikës sonë, një shans për të gjithë. Por ka një dallim t’i japësh një shans një gruaje dhe t’i japësh një shans një burri. Sepse kur i jep një shans një gruaje, ky është një shans i trefishtë: është për gruan, është për fëmijët, është edhe për burrin, pra për familjen”, – u shpreh z. Meta, ndërsa shtoi se mbështetja e grave në sipërmarrje krijon mundësi më të mira për shkollimin e fëmijëve dhe për rritjen e standardeve familjare.

“Sepse një grua, e cila përmirëson të ardhurat e saj përmes një pune më të mirë, përmes një kredie apo një granti, që i jep mundësinë të krijojë një biznes, ta çojë përpara atë, është e sigurt që ajo ato të ardhura do t’i investojë për shkollimin e fëmijës, do t’i përmirësojë për të rritur standardin e familjes. Ne e kemi për detyrë t’i japim një shans çdo gruaje në Fier, në Lushnje, në Myzeqe dhe në të gjithë Shqipërinë”, – tha Kryetari i LSI-së.

Në takimin e zhvilluar në Patos morën pjesë edhe Kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha, Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, deputeti i LSI-së, Robert Bitri, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e LSI-së, Erisa Xhixho, etj.

Në fjalën e saj gjatë takimit, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e LSI-së, Erisa Xhixho, theksoi se beson te kapaciteti i grave më menaxhim dhe te shanset që i duhen dhënë grave për të qenë pjesë e ekonomisë reale.

“Ne besojmë fort te kapaciteti juaj për të drejtuar për të menaxhuar, ashtu siç menaxhoni familjen tuaj të vogël, dhe me aq kujdes, ashtu ne duam që të kujdesemi akoma më shumë edhe për të gjithë Fierin dhe për gjithë zhvillimin ekonomik të Fierit. Sepse ne besojmë shumë që shansi i duhet dhënë gruas për të qenë jo vetëm pjesë e vendimmarrjes, por pjesë e ekonomisë reale të vendit dhe sidomos të qarkut Fier”, – tha Xhixho.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: