TIRANË

Akuza të forta ka hedhur ish-deputeti Spartak Braho ndaj Presidentit të Republikës Ilir Meta. Braho tha në “Frontline” në News24 se Meta ka vënë në rrezik marrëdhëniet shqiptaro-amerikane duke kujtuar deklaratën e tij për pushkatimin tek Mali me Gropa. Braho tha se Meta qesh për t’i nxjerrë fikën vetes.

Sa i përket akuzave për falsifikim nga Kuvendi të dokumenteve të dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese, akuza të ngritura nga përfaqësuesit ligjorë të Presidentit, Braho tha se hetimi gjyqësor ka përfunduar dhe se nuk ndryshon përmbajtja e ccështjes.

“Ky njeri i thotë ambasadës amerikane më pushkatoni tek Mali me Gropa, më hidhni dhe një raketë. E kupton ça marrëzirash ka nxjerrë nga goja?! Ka vënë në rrezik marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Ky flet sikur flet me Maduron.
Falsifikim do të thotë paraqitja e të dhënave që dihet që janë të rreme. Jo data 6 po data 7, ja është 6, ja është 7, çfarë ndryshojnë këto nga çështja, në përmbajtje, jo në procedurë, në anën formale. Gjykata Kushtetuese ka mbaruar hetimin gjyqësor, janë mbyllur fletët, është tërhequr për vendim. Pretendimet e palëve dorëzohen gjatë kohës që gjykata është në aktivitet, i ka mbyllur.
T’u drejtohen organeve përkatëse, por kjo nuk e pezullon çështjen, nuk e pezullon vendimin. Ilir Metën e ka gjetur si puna e Zylos në fshatin tim, që hyri në pyll, për t’i dhënë kurajë vetes bërtiste, nga e bërtitura qante, pastaj qeshte. Ai qesh për t’i nxjerrë frikën vetes. Frikë nga shkarkimi”, tha Braho.

Sipas tij, Meta duhet të largohet me dinjitet, teksa foli për copa letrash të mbështjella me gjëra jo të hijshme.
“Ai të mbyllë qetësisht, me dinjitet, se nuk është ndonjë dramë e madhe se për shkak të veprimeve në shkelje të Kushtetutës shkarkohet. Ka më shumë rëndësi largimi me dinjitet, se sa të bërtiturit.
Beteja bëhet me armët që zgjedh. Armët që zgjedh janë disa llojesh. Janë ca armë që nuk janë shumë dinjitoze për të. Arma që duhet të përdorte ai, duhet të ishin argumentet dhe jo copat e letrave të mbështjella me gjëra jo të hijshme brenda që hedh tani kundër organeve të drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese.
Po presion. Mua më vjen shumë rëndë që ky njeri…
Bërtet Zylo atje në pyll, bërtet nga frika. Është një gjendje psikologjike shumë e shpjegueshme. Po ta njohësh nga afër natyrën e tij, natyrë emotive, e papërmbajtur shpeshherë, janë të justifikuara këto sjellje, por jo normale për një njeri që ka drejtuar shtetin 5 vjet.
Është periudha kur duhet të heshtim dhe të presim Gjykatën Kushtetuese. Këta që vazhdojnë për drejtësi, këtë mësojnë të parën, kur flet gjykata të tërë heshtin. Të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese me dinjitet. Vetëm dinjiteti e shpëton, të paktën të tregohet njëherë burrë tamam”, tha Braho.

Ai foli më tej për gjuhën e përdorur nga Presidenti për ambasadoren e SHBA-ve.
“Ky krijon insinuata kundër institucioneve kryesore që përfaqësojnë SHBA-të në Shqipëri, personaliteteve që përfaqësojnë këto institucione. Këto gjëra i ka vënë në dukje herë pas here jo vetëm znj. ambasadore, por edhe DASH. Anormale, por me pasoja sepse cenon marrëdhëniet e rëndësishme me SHBA-të. Mos bën lojën e tjetër kujt ky? Ku di unë, për çfarë përplaset ai? Kujt ia tregon ai Malin me Gropa. Me kë flet, me Maduron? Janë akuza shumë të rënda, që prekin thelbin e atyre marrëdhënieve që kanë 100 vjet që janë vendosur mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, me shumë sakrifica, me ulje-ngritjet e tyre. këto punë vetëm Enver Hoxha i bëri që i përzuri përfaqësuesit e SHBA-ve në 1946.
Si e ke në zemër Amerikën? Amerika do të vrasë ty. Në cilën zemër të tij qëndron Amerika? Janë banalitete dhe më vjen keq të harxhoj kohën me këto”, tha ai.

Ndërsa sa i përket deklaratave të Sali Berishës se kishte një plan për Lulzim Bashën president në 2017, Braho tha se ai krijon situata.
“Zoti Berisha shquhet për krijimin e situatave. Ka një cilësim të ambasadores për zotin Berisha, e quan spin doctor, përkthimin e ka një njeri me personalitet të deformuar që vetëm fantazon dhe krijon situata të paqena. Ky është Sali Berisha, krijon situata. E çfarë rëndësie kanë këto se paska thënë do bëhej Lul Basha apo jo. Rëndësi ka që ky vend, ky popull, ky shtet, këto struktura të ngrihen sipas përcaktimeve kushtetuese, të zbatohen në rregull. Pastaj lufta për karrige, për pushtet këtu tek ne nuk ka shumë parimësi”, deklaroi Braho.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb