Analisti Ervis Iljazaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se e djathta shqiptare bën gabim që mbështet Albin Kurtin, kurse shton se ky adhurim për Kurtin, me siguri që lidhet me faktin se PD shpreson që lideri i VV të rrëzojë Edi Ramën nga pushteti.

Albin Kurti u bë fenomen, për shkak se prishi bilancin që ekzistonte. Lëvizja Vetëvendosje është kthyer në fenomen, pasi si në Shqipëri si në Kosovë, ka një kritikë ndaj establishmentit. VV është një forcë e re politike që fitoi pushtet. Adhurimi i së djathtës shqiptare për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje e shoh si gabim, sepse filozofia politike e Kurtit është e majtë.  Albin Kurti është ndër liderët më kritikë ndaj kapitalizmit në Kosovë e në Ballkan. PD po bën gabimin duke përkrahur Vetëvendosjen. Kam idenë se ka shpresën për të rrëzuar Edi Ramën. E djathta shqiptare po bën gabim që po mbështet Albin Kurtin, por jo si person, jo si kryeministër, por po i fryn erës së kundërt të së djathtës. Kurti është për publiken, jo privaten, pra e majtë dhe jo e djathtë.”, tha Iljazaj.

Ervis Iljazaj u shpreh se PD duhet që të mëshojë në vlerat e së djathtës, në vlerat e një tregu të lirë dhe jo të mbështesë një parti si Lëvizja Vetëvendosje, që është kryekëput e majtë.

“Unë mendoj se PD luan me frymën për të mbështetur të pamundurit. Partia Demokratike duhet që të promovojë vlerat e saj. PD duhet të fitojë me vlerat që ka, me të djathtën, me liberalizmin ekonomik. Kapitalizmi prodhon pabarazi, por jo varfëri. Qytetarët besuan parti politike populiste si Syriza, Podemos etj, të cilët më pas dështuan. Edhe Pesë Yjet dështuan më pas. Pse? Sepse këto janë lëvizja që janë ngritur me emocione dhe jo me realizëm politik. Demokracia popullore është thjesht iluzion. Populizëm do të thotë që populli të përfshihet në politikë, por kjo është e pamundur.”, deklaroi Iljazaj.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb