Imami shqiptar nga Kosova, Tahir Kukaj është renditur në mesin e 100 personaliteteve më me ndikim në Staten Island të Nju Jorkut.

Ai konsiderohet si një udhëheqës ndërfetar që ka bërë një karrierë të bujshme duke ndërtuar ura të mirëbesimit mes popujve dhe etnive me religjione të ndryshme.

I lindur në fshatin Terstenikë të Drenasit, imami Kukaj ka shkuar në Staten Island në vitin 2002 për të drejtuar Shkollën Islame Miraj.

Atje ai është bërë edhe udhëheqës i Qendrës Kulturore Islamike Shqiptare.
Kukaj, tash e 15 vjet njihet për programin e veçantë të tij pasi një herë në vit organizon një takim ku zhvillohet dialog mes komunitetit katolik dhe atij mysliman, e që përfundon me një dark të përbashkët.

Në mesin e personaliteteve tjera që janë nderuar nga Staten Island ka zyrtarë qeveritarë, udhëheqës të kujdesit shëndetësor, të atij bankar e të pasurive të patundshme, akademikë, gazetarë, avokatë dhe aktivistë të ndryshëm.

Imami nga Kosova para një muaj ka marr lëvdata dhe nga kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blasio për kontributin që po jep Qendra Kulturore Islamike Shqiptare në kultivimin e mirëkuptimit dhe tolerancës ndërfetare në Nju Jork, shkruan AktivPress.

Nëpërmjet Komisionarit të Policisë së Nju Jorkut, ai e ka përcjell një mirënjohje, duke e cilësuar këtë Qendër si një qendër me shumë influencë.

Në mirënjohje, ai ka theksuar se komunitetet fetare janë shtylla kryesore e forcimit të shtetit.
Me iniciativën e Qendrës Islame Kulturore Shqiptare, de Blasio e ka shpallur muajin prill si muaj të komuniteteve fetare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb