Emri i xhamisë An`Nur të Winterthurit prej kohësh nuk zbret nga kryetitujt e mediave zvicerane. Fillimisht për shkak të një imami ekstremist që kishte predikuar dhunë ndaj “të pafeve” dhe më vonë edhe për kryetarin e bashkësisë së kësaj xhamie, shqiptarin nga Maqedonia Ilir Hoxha.

Ndërkohë që imami (somalian) ishte dënuar dhe xhamia famëkeqe ishte mbyllur, Hoxha i kishte shpëtuar dënimit lidhur me predikimin në xhaminë “e tij”. Ai, siç shkruan landbote.ch dhe blick.ch, ishte mbajtur në paraburgim më shumë se një muaj, por nuk ishte gjetur fajtor për ndonjë shkelje ligji.

Mirëpo ndërkohë shqiptari 37-vjeçar me shtetësi zvicerane është dënuar nga gjykata e Qarkut e Winterthurit për dy krime tjera, transmeton albinfo.ch. Dënimi i parë atij i është dhënë për faktin se ka angazhuar si imam të përkohshëm për xhaminë e tij një azilkërkues. Ai i kishte paguar atij 600 franga për udhëheqjen e disa predikimeve dhe në këtë mënyrë kishte shkelur ligjin e punës.

Ndërsa krimi i dytë për të cilin ai po ashtu është dënuar është më i veçantë. Ilir Hoxha ka lejuar djemtë e tij të vegjël të ngisnin makinën e tij. Herën e parë këtë e kishte bërë i biri i tij vetëm 9-vjeçar. Vogëlushi ishte lejuar pra që të bënte disa kthesa me makinë në një shesh publik, ndërkohë që babai i tij rrinte ulur në ulësen paralele.

Ndërsa herën tjetër me djalin e madh 12-vjeçar puna kishte shkruar edhe më larg: ai kishte ngarë makinën e babait rrugëve me trafik, në praninë e tij. Për më tepër, asnjëri prej tyre nuk ishin të lidhur me rripin e sigurisë.

Këto dy shkelje mbase nuk do të zbuloheshin skur ai të mos i kishte filmuar. Dhe me rastin e kontrollimit të telefonit të tij mobil, policia kishte gjetur edhe filmimet në fjalë. Për të gjitha akuzat prokuroria kërkon një dënim me gjobë prej 2400 frangash.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb