Një imazh prekës i dy personave të përqafuar për herë të parë në muaj për shkak të pandemisë globale është shpallur fitues i konkursit World Press Photo 2021.

Fotografi danez, Mads Nissen, u vlerësua me çmimin e parë në konkursin prestigjioz gjatë një ceremonie në internet të organizuar sot në Amsterdam.

“Imazhi fitues ka kapur ndikimin e pandemisë te njerëzit në të gjithë botën si askush tjetër”, tha juria.

Fotografia fituese, e quajtur “Përqafimi i parë”, u mor për të përditshmen daneze “Politiken” dhe tregon brazilianen Rosa Luzia Lunardi, 85 vjeç, ndërsa infermierja Adriana Silva da Costa Souza e përqafon atë për herë të parë në pesë muaj, në një shtëpi pleqsh më 5 gusht 2020.

Infermierja mban një veshje plastike që i lejon ato të përqafohen pa kontakte fizike.

Ndërsa përqafohen, pelerina hapet nga jashtë, duke e bërë infermieren të duket si një engjëll.

“Mesazhi kryesor i imazhit është dashuria dhe dhembshuria”, tha fotografi Nissen.

Juria e quajti imazhin “një ikonë”, duke thënë se “përmblodhi pandeminë COVID 19”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb