NGA: Vjollca Kongjoni
Pas Elbasanit edhe qarku i Tiranës do të prodhojë energji nga djegia e mbetjeve. Ndërsa incerneratori i Elbasanit tashmë ka filluar nga puna, ai i Tiranës pritet të ndërtohet brenda këtij viti. Ministria e Mjedisit ka firmosur dhënien me koncesion për 30 vjet të depozitimit dhe përpunimit të mbetjeve në kryeqytet kompanisë holandeze “Integrated Energy”.

Vlera e investimit e paraqitur nga kjo shoqëri e regjistruar me adresë në Amsterdam kap shifrën e 128.2 milionë eurove. Sipas kontratës, koncesionari premton mbylljen e venddepozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impianti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë, krijimin e një venddepozitimi të hirit të prodhuar nga djegia me kapacitet 1.8 milionë metra kub dhe një impiant të trajtimit të ujërave të ndotura që do të krijohen nga procesi i përpunimit të plehrave. Kjo ofertë është pranuar nga ministria e Mjedisit si pjesë e programit për modernizimin e trajtimit të mbetjeve urbane në të gjithë qarkun.

Nga investimi, koncesionari parashikon të nxjerrë fitime përmes një tarife të vendosur bashkive të qarkut të Tiranës për shërbimet e ofruara. Mësohet se bashkia e Tiranës t’i paguaj shoqërisë tarifën prej 29 euro për çdo ton mbetje që përpunon. Ndërtimi i impiantit për prodhim energjie nga djegia e mbetjeve erdhi si një propozim i pakërkuar nga kompania holandeze dhe në dhjetorin e vitit të kaluar u miratua nga qeveria shqiptare, e cila i dha edhe një bonus prej 8 pikësh. “Integrated Energy” ka qenë e vetme në garë me ofertën e paraqitur. Impianti për djegien e mbetjeve dhe prodhimin prej saj të energjisë elektrike do të nisë nga puna vitin e ardhshëm.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb