Arkipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo sqari këtë mbrëmje në studion e emisionit “Real Story” në News 24 me Sokol Ballën deklaratën e fortë drejtuar politikës shqiptare.

Ai tha se është apolitik dhe se nuk mbështet as njërën prej forcave politike në vend, ndërsa shtoi se do të jetë gjithnjë në krah të atyre që nuk kanë zë. Frendo shtoi se pavarësisht se e di që korrupsioni dhe varfëria nuk kanë lindur sot, të varfrit janë bërë sot edhe më të varfër dhe ky është një problem sipas tij, ndaj edhe politika duhet të kthejë sytë nga ta.

“Dëshiroj të jem i qartë se s’kam asnjë lidhje politike. Jam apolitik. Unë sapo u emërova Arqipeshkv 5 vite më parë kam thënë se përpiqem të jem zë për ata që janë pa zë. Unë e ndjej për detyrë të mbroj të varfrit, viktimat e padrejtësisë, punëtorët në situata ja shumë të denja për ta, e ndjej për detyrë. Dua të them se edhe kur në qeveria ka pasur parti tjetër kemi kritikuar disa gjëra. Kur flas për korrupsion nuk mendoj që ka lindur në 2013. Ka kohë që ka ekzistuar. Para ‘97 unë isha në Maltë, kishte shqiptarë të punësuar atje. Nga ana ta kam dëgjuar që këtu ekziston korrupsioni, nuk është problem i tanishëm edhe varfëria nuk ka lindur tani, ka kohë, madje mund të shtoj se numri i të varfërve është ulur, por fatkeqësisht ka edhe të varfër që kanë qenë të varfër para 10 viteve por sot janë bërë edhe më të varfër’,- tha ai.

Duke sqaruar më tej mesazhin e tij, Imzot George Frendo shtoi: “Politikanëve dhe partive iu them kërkoni të mirën e përbashkët, të popullit më shumë se sa të mirën e partisë. Kam folur për të vërfërit që edhe duke përgatitur programet politike të kenë kujdes, që përvec botës së politikaneve, të pasurve të mbajnë në mendje që ekziston edhe bota e të varfërve që duhet të respektojmë.

Kush ka më shumë duhet të japë më shumë. Nuk kam ngjyrë politike, ngjyra ime është e bardhë. Mesazhet që kam thënë: Nëse ti je rehat mendo që ka njerëz që luftojnë për një copë buke. Kur bie shumë (si ra këto dy netë më parë) parasysh kam situatën e këtyre personave që kalojnë natën jashtë”,- vijoi ai.

“Më 5 shtator kremtuam festën e Nënë Terezës. Unë ju them se kontributi më i madh që Nënë Tereza shqiptare i dha shoqërisë ishte pikërisht kjo: Vlera e personit pavarësisht ngjyrës, besimit. Ajo vetë ka thënë se kur vjen nga një besim tjetër nuk i them që bëhu katolik nëse je budist, por përpiqu të bëhesh një budist i mirë. Ky ishte kontributi më i madh i saj për shoqërinë”,- tha ai ndër të tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb