E kam huq shumëvjecar që Vitin e ri e kaloj duke parë lojra shahu të të mëdhenjve të kësaj bote. Ishte gjëja më e mirë që më mbante lidhur dikur, për t’i shpëtuar persekucionit dhe mallkimit të biografisë.

Sot në mëngjes, po shikoja një lajm të një miku të mirë shahist që publikonte shënime të Viktor Korcnoit, një nga legjendat e mëdha të histroisë së shahut të të gjitha kohëve. Shahisti gjenial që megjithse mbi 80 vjeç, i kishte dhënë një mësim Magnus Karlsenit, kampionit absolut të botës  sot, në një lojë jo tipike për stilin e tij, për të cilin e etiketonin si makinë elekronike për shkak të pafundësisë në llogaritje për lëvizje dhe që po për këtë arsye, e mbiquanin “Viktori i tmerrshëm”

Kasparovi legjendar që e mundi në matcin për kampion të botës po në një moshë të shtyrë më fliste me respekt absolut për të. Po e ribotoj këtë shkrim për gjithë ata që e kanë qejf këtë lojë të cilën, dikur e kam pasur botuar në Gazetën time “Dita-informacion”, po që  nuk e kam më nëpër letrat e mija. Lavdi e nder për këtë gjigant të madh, që po bën gati pesë vjet larguar nga kjo botë.

(In memoriam për Viktor Korçnoin)

Viktor Korçnoi, luan nesër në turneun final dhe ke mundësi ta takosh apo të bësh një fotografi me të…

Një natë më parë jam shtruar me urgjencë në spital dhe Vladimiri një mjeshtër rus që njoha nga të parët në emigracion, më gjen në krevat me serumin që më kanë vënë mjekët. Dyshojnë për komplikacione të rënda në bark. Është e premte dhe unë duhet të pres të hënën për vendimin përfundimtar…për të bërë operacion apo jo.

Viktor Korçnoi, një nga legjendat më të mëdha të historisë së shahut, pothuajse për gjashtëdhjetë vjet rresht në podiumin e saj, vdiq vjet. Ka bërë dy matçe për titull bote. Pas atij më të famshmit Spaski Fisher, u detyrua të arratisej nga Bashkimi Sovjetik. Rusët nuk donin që të turpëroheshin dhe njëherë përpara Fisherit gjenial dhe duket e detyruan Korçnoin të linte Karpovin në këtë duel gjigantësh. Korçnoi e përtypi me zor urdhrin, por pas kësaj ngjarjeje ai bëri me dijeni gjithë federatat e botës për skandalin..

Korçnoi ishte në formë dhe në moshën 81 vjeçare përsëri shpallet kampion i Zvicrës megjithëse pak më parë kishte kaluar dhe një hemorragji cerebrale. I njohur për epitetin “Viktori i tmerrshëm”, ai mbetet për shumë nga njohësit e historisë së kësaj loje në dhjetë më të mëdhenjtë e të gjithë historisë.

U vendos …Të nesërmen braktis si hajdut spitalin duke hequr serumin dhe arrij njëzet minuta para fillimit të turneut.

Nga ndeshja finale për vendin e parë me Viktor Korçnoin/ Saarbrycken, Mars 1993

 

-Zoti Viktor, – i them…. Unë jam rritur në Shqipëri me kujtimin e lojërave të tua. Po vij nga spitali vetëm për një fotografi për kujtim e të kthehem prapë atje….

Korçnoi buzëqesh, por pranon të më japë vetëm autograf ndërsa për fotografi duhet të luaj me të në turne…
Shtrëngoj dhëmbët dhe pranoj ftesën pasi paguaj kuotën e hyrjes.

Nuk e kuptoj se çfarë ndodh realisht, por serumi gjatë gjithë natës ka bërë të vetën dhe nuk kam asnjë emocion që më mbërthen zakonisht..

Pas 12 ndeshjesh, ja ku jam përballë me “Viktorin e tmerrshëm”. Luhet për vendin e parë dhe ai duhet ti fitojë të dy lojërat me mua për ta zënë atë vend. Më duhet të barazoj vetëm një. E arrij me të dytën dhe me kaq përfundoj i pari.

Korçnoi qesh dhe thotë: “Përse e le barazim, mund dhe ta fitoje të dytën….”
Mund t’i them që kaq më mjaftonte për vendin e parë, por i kthej reston po duke qeshur që nuk më pranoi fotografinë…

-Po të fitoja unë ti dilje i katërti dhe asnjë në Shqipëri nuk do ta besonte kurrë që në një turne unë dola i pari dhe ti i katërti.

Viktori qesh prapë. Vitin tjetër, sa hyri në sallë në të njëjtin turne, kërkoi të luanim pak praktikisht. Në turin e fundit u ndeshëm prapë dy herë dhe të dyja dolëm barazim. Po kësaj radhe ai doli i pari dhe unë luajta thuajse ndeshjen e fundit zyrtare për gati njëzetë vjet. Sëmundja e barkut që u bë kronike nga mosqëndrimi në spital atë kohë ma ndërpreu njëherë e mirë iluzionin e të luajturit shah.

Nuk u ktheva në spital, por u kënaqa . Të nesërmen gazetat lokale dhe në librin e turneut u shkruajt se një i çmendur u ngrit nga spitali ku duhesh bërë operacion dhe me fytyrën e njëjtë vdekuri mundi Korçnoin e madh…

Një nga kujtimet më të bukura nga fusha e shahut që po e ndaj me ata që e lexojnë faqen time./konica.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: